Sport

Te Zvicra nuk janë të lumtur për vendimin e Bajramit, por duhet ta pranojnë atë

Drejtori i përfaqësueseve të Zvicrës në futboll, Pierluigi Tami ka pranuar se e kishte të pamundur ta bindte Nedim Bajramin që të vazhdojë të luajë për Zvicrën U21. Bajrami, që vlerësohet lart për talentin që ka, të martën njoftoi se ka vendosur që tash e tutje të luajë për Shqipërinë. 22-vjeçari luan për Empolin në Serie B dhe ka shkëlqyer këtë edicion. Ai tha për KOHËN se kalimi te Shqipëria ishte zgjedhje e zemrës.

Deri më tani Bajrami ishte te Zvicra U21, me të cilën ka pasur rastin të luajë në Evropianin e shpresave, që nis më vonë këtë muaj. Por ai hoqi dorë nga Evropiani për fanellën kuqezi. Se ishte zgjedhje e zemrës ua tha edhe zviceranëve.

Në një intervistë për “Blick”, Pierluigi Tami ka theksuar se telefonata me Bajramin ka zgjatur shumë. Por nuk ishte e suksesshme.

“Qartë, askush nuk është i lumtur për vendimin e tij. Nedimi është talent i madh, ai është promovuar nga ne për vite të tëra. Ne kemi investuar shumë para dhe kohë në stërvitjen e tij. Por përveç talentit, vlera të tjera janë të rëndësishme për ne po ashtu. Ato janë: respekti, solidariteti, identifikimi dhe kënaqësia. Ai na ka thënë se zemra i rrah më shumë për Shqipërinë. Ishte e qartë për ne që mungonte vlera që ishte vendimtare për ne: identifikimi. Kështu që duhet të pranojmë vendimin e tij dhe ne i dëshirojmë Nedimit fatin më të mirë në të ardhmen”, ka thënë Tami për “Blick”.

Bajrami i ka 11 ndeshje e një gol për Zvicrën U21. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës. Mesfushori është zhvilluar te Grasshopperi, kurse prej vitit 2019 është te Empoli, skuadër që po marshon drejt Serie A.

Te Zvicra U21 mbesin ende shumë futbollistë shqiptarë, për disa prej të cilëve ka shpresë te Kosova.

“Forca kryesore e kësaj gjenerate të U21 është shpirti ekipor. Jam i sigurt se ekipi do të përballojë vendimin e Nedimit për të ndryshuar nacionalitetin dhe do të tregojë ndeshje të mëdha në Evropian”, ka theksuar Pierluigi Tami, njeriu kryesor për lojtarët te përfaqësueset helvetike.

Kalimi i Nedim Bajramit te Shqipëria vlerësohet fitore shumë e madhe e Federatës Shqiptare të Futbollit. Përfaqësuesja e Shqipërisë humbi nga cilësia në vitet e kaluara, por tashmë po formon një gjeneratë shumë të fortë me lojtarë shumë të talentuar.