Hendbollistët e Sllovakisë synojnë kualifikimin në Kampionatin Botëror që mbahet në vitin 2025 në Kroaci, Danimarkë dhe Norvegji.
Rruga deri në Botëror është e gjatë për sllovakët, që këtë javë i luajnë ndeshjet e fazës së parë kualifikuese. Në këtë fazë, Sllovakia duhet ta kaloj Kosovën.
Sipas selektorit të Sllovakisë, Fernando Gurich, lojtarët e tij do të përballen me një ekip tipik ballkanik. Ai ka thënë se lojtarë e Kosovës luajnë mirë me pivot. Por Gurich beson se ekipi sllovak do të arrijë ta kapërcejë pengesën e parë.
Ndeshja e parë e Sllovakisë me Kosovën është të enjten prej orës 18:00 në Povazska Bystrica. Ndërsa ndeshja e dytë është më 5 nëntor në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Avancimin tutje e siguron përfaqësuesja që është më e mirë pas dy ndeshjeve.
Sllovakia për ndeshjet me Kosovën u grumbullua të dielën. Gurich ka përfshirë në skuadër 19 lojtarë. Sllovakia të hënën ka stërvitur e kompletuar për duelet me Kosovën.
Edhe
Pa forcën e zakonshme, por Kosova kërkon suksesin ndaj Sllovakisë
Gurich thotë se Kosova ka lojtarë të mirë në aspektin individual.
“Ne do t’i përmbahemi konceptit të lojës që kemi. Na kanë mbetur edhe disa seanca stërvitore për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen e parë. Ka kaluar kohë e gjatë nga ndeshja jonë e fundit, kështu që duhet të rifreskojmë gjërat në sistemin tonë të lojës. Do të fokusohemi në mënyrën se si të mbrojmë sulmet e tyre. Kosovarët kanë aftësi të mira individuale. Ne duam të vazhdojmë të punojmë në zhvillimin e sistemit tonë. Besoj se do të bëjmë më të mirën kundër Kosovës”, ka thënë selektori i Sllovakisë para gazetarëve.
Gurich e njeh mirë ekipin e Kosovës. Përmend disa emra nga të cilët ekipi i tij mund të hasë në vështirësi.
“Nuk ka ndeshje të lehta në Evropë. Kosova është një ekip tipik ballkanik. Lojtarët e saj punojnë mirë me pivotin. Ata kanë një pivot të fortë që quhet Jupa. Ai është një nga lojtarët më me përvojë. Pastaj është Quni më i ri. Njëri është statik, tjetri i lëvizshëm. Organizatorët Dedaj dhe Gjuka po ashtu janë cilësorë. Ekipi ka edhe një gjuajtës të mirë, Tahirukajn. Megjithatë, besoj se do të mund të përballemi me forcat e tyre dhe ta kalojmë këtë pengesë”, ka thënë Gurich.
Ai thekson se Kosova është një prej kundërshtarëve më të fortë. Të fortë Kosovën e vlerëson edhe portieri i ekipit St. Gallen të Zvicrës, Marian Zernovic.
“Duhet ta shikojmë paraqitjen tonë. Kosova nuk është fuqi e hendbollit si Sllovakia. Duhet të fillojmë me një mbrojtje të mirë, të organizojmë lojën dhe gradualisht të sigurojmë qëllimin tonë. Sigurisht që asgjë e lehtë nuk na pret, por nga ana tjetër nuk është një kundërshtar i pathyeshëm”, ka thënë Zernovic.
Edhe Jakub Prokop pret dy fitore.
Edhe
Ukraina përballet me sfida, por vjen në Kosovë për fitore
“Unë sinqerisht do të them se pritshmëritë tona janë dy fitore. Mendoj se më e rëndësishmja është të kemi një objektiv të qartë dhe të përgatitemi tërësisht për këtë ndeshje të dyfishtë në mënyrë që ta përmbushim synimin. Tashmë kemi informacionin bazë për kundërshtarin. Kemi parë disa duele të kundërshtarit”, ka thënë Prokop.
Kosova u grumbullua të dielën dhe të hënën i zhvilloi dy stërvitjet e para.