Basketbollistët e rinj të klubit mitrovicas Trepça kanë marrë përkrahje nga KFOR-i. 24 topa profesionalë të basketbollit dhe 48 komplete të përbëra nga bluza, fanella dhe pantallona janë dhuruar nga KFOR-i për klubin Trepça në Mitrovicë të jugut.
Sipas njoftimit të KFOR-it, misioni i klubit është të bashkojë fëmijë dhe grupe të të rinjve me etni të ndryshme të Kosovës për t’u shoqëruar përmes ushtrimeve dhe garave në basketboll.
Programet e Trepçës përfshijnë 2000 vajza dhe djem të moshës prej 10 deri në 18-vjeç. KFOR-i do të kontribuojë në aktivitetet e klubit, që përfshijnë kurse specifike për të rinjtë që i përkasin komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
“KFOR-i është i angazhuar për të nxitur bashkëjetesën ndëretnike dhe në nismat e tij ka përfshirë donacionet që ndihmojnë institucionet dhe organizatat vendore”, ka thënë koloneli i ushtrisë amerikane, Noel Hoback, zëvendës komandant i Komandës Rajonale të KFOR-it Lindje.
Projekti është financuar nga NATO dhe është zbatuar nga dega e KFOR-it për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak, në bashkëpunim të ngushtë me Komandën Rajonale që udhëhiqet nga SHBA-ja.
“Ne i jemi shumë mirënjohës KFOR-it. Misioni ynë është që përmes programeve trajnuese në basketboll të angazhojmë fëmijë dhe grupe të të rinjve me etni të ndryshme. Këto aktivitete lejojnë gjeneratat e reja të stërvitin, socializohen dhe zhvillojnë aftësi që do të jenë të dobishme gjatë gjithë jetës së tyre. Donacioni i KFOR-it do të na afrojë me qëllimin tonë”, ka thënë Naim Hajrizi, drejtor i KB Trepça.
