Largimet e Cristiano Ronaldos dhe Romelu Lukakut nga Serie A duhet t’ua hapin rrugën lojtarëve të rinj që të shkëlqejnë në një ligë që historikisht është mbështetur tek veteranët. Moise Kean, i cili zëvendësoi Ronaldon te Juventusi, dhe Giacomo Raspadori, sulmuesi që po zhvillohet me shpejtësi te Sassuolo, janë dy nga lojtarët në rritje që duhet ta kenë vëmendjen në kampionatin italian. Dy 21-vjeçarët, të cilët kanë lindur me 10 ditë diferencë, treguan potencialin e tyre në ndeshjen e Përfaqësueses së Italisë kundër Lituanisë, të mërkurën mbrëma. Këtë ndeshje, që u takoi kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, Italia e fitoi me rezultatin 5:0. Kean shënoi dy herë, ndërsa Raspadori realizoi një gol dhe krijoi një autogol të shënuar nga Lituania.
“Nuk ishte e rëndësishme që të kishim shënuar shumë gola. Mposhtja e Lituanisë ishte e pritshme, por fitimi me një diferencë kaq të madhe nuk ishte”, pranoi përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini, duke vënë në dukje se rivali i Grupit C, Zvicra, fitoi vetëm 1:0 ndaj Lituanisë. “Ishte gjithashtu e rëndësishme ta kishim bërë atë me lojtarët më të rinj. Tani shpresoj se ata mund të luajnë në ligë. Kjo është mënyra e vetme që ata të përmirësohen”.
I freskët nga suksesi me Italinë në “Euro 2020”, Mancini ka qenë një ithtar i përdorimit të lojtarëve më të rinj qëkur mori skuadrën kombëtare pas dështimit të turpshëm për t'u kualifikuar në Kupën e Botës të vitit 2018. Në shtator të vitit 2018 Mancini thirri Nicolo Zaniolon, atëherë 19 vjeç, para se mesfushori i talentuar të kishte luajtur edhe një ndeshje në Serie A për klubin e tij, Romën. Ndërsa Zaniolo ka luftuar me dëmtimet në sezonet e fundit dhe për këtë arsye e humbi pjesëmarrjen në “Euro 2020”, ai ishte përsëri me Italinë gjatë javës së kaluar dhe përsëri dëshmoi se pritet të jetë një figurë kryesore për Romën dhe Italinë gjatë dekadës së ardhshme. Gjatë Kampionatit Evropian mesfushorët Manuel Locatelli (23 vjeç) dhe Matteo Pessina (24) ishin zbulime. Locatelli më pas bëri një transferim prej 25 milionë eurosh nga Sassuolo te Juventusi, ndërsa Pessina është një nga arsyet pse Atalanta konsiderohet një pretenduese legjitime për titull këtë sezon. Në mbrojtje mbrojtësi i Milanit, Davide Calabria (24) dhe qendërmbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni (22), gjithashtu janë vlerësuar nga përzgjedhësi Mancini. Ndërsa Interi e humbi Lukakun që iu bashkua Chelseat gjatë kësaj vere, mbrojtja e kampionit të Serie A, është ende e shëndoshë me Bastonin dhe Stefan de Vrijin.
“Bastoni është mbrojtësi qendror i majtë i ardhshëm i ekipit kombëtar”, insistoi Mancini. Sa i përket sulmuesit Kean, paraqitja kundër Lituanisë ishte çliruese pasi ishte një nga lojtarët e fundit të prerë nga skuadra që u paraqit në Kampionatin Evropian.
“E gjitha është në këmbët e tij dhe, mbi të gjitha, në kokën e tij”, tha Mancini. “Ai ka forcë dhe shpejtësi e mund të luajë në krah ose në qendër të sulmit. Pra, nëse ai punon shumë në këtë aspekt, atëherë mund të ketë një të ardhme vërtet të ndritshme. Por ai duhet të mbajë mend se karriera e futbollit nuk është aq e gjatë dhe se duhet të përfitojë nga momenti”.
Vërejtja e Mancinit për kohëzgjatjen e karrierës mund të ketë qenë një referencë indirekte për Mario Balotellin, një lojtar tjetër të talentuar që trajneri dikur e mbrojti kur ishte në krye të skuadrave si Inter dhe Manchester City. Tani 31 vjeç dhe duke luajtur në Turqi me Adana Demirspor në mes të një karriere nomade që nuk i ka përmbushur pritjet e mëparshme, Balotelli nuk arriti të përfitonte kur Mancini ia dha atij një shans për t'u ribashkuar me Përfaqësuesen e Italisë në vitin 2018. Ndërkohë Raspadori tashmë ka shënuar nëntë gola në 41 ndeshje në Serie A dhe po studion për një diplomë universitare.
“Ai është i ri dhe ka nevojë për më shumë përvojë, por është gati”, tha Mancini për Raspadorin.
Gianluca Scamacca (22), një tjetër produkt i Sassuolos që është krahasuar me ish-qendërsulmuesin e Italisë, Christian Vieri, për fuqinë e tij fizike, gjithashtu u paraqit kundër Lituanisë. Pra, me Sassuolo që viziton Romën të dielën, duhet të ofrojë një mundësi perfekte për të admiruar talentet më të reja të Italisë. Kean gjithashtu mund të paraqitet te Juventusi, i cili luan në udhëtim kundër Napolit të shtunën mbrëma.
“Kemi talente të shumta dhe atyre iu nevojitet përvoja në Serie A. Shpresoj që klubet e tyre t’i aktivizojnë sa më shumë, sidomos sulmuesit”, u shpreh Mancini.