Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Reali ndihen të nënvlerësuar, synojnë të dëshmojnë se janë për ndeshje të mëdha

Zinedine Zidane beson se Real Madridi është nënvlerësuar përpara ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër skuadrës së Liverpoolit. Ndeshja Real Madrid – Liverpool luhet të martën nga ora 21:00, kurse ndeshja e kthimit është më 14 prill në “Anfield”.

Ekipi i trajnerit Zidane, Reali, ka pasur një sezon të vështirë, por ka mbetur në garë si në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në La Liga, ku ka vetëm tri pikë më pak se Atletico Madridi që është lider, kur kanë mbetur edhe nëntë ndeshje deri në fund të këtij edicioni.

Nëse Reali e eliminon Liverpoolin, atëherë në gjysmëfinale do të përballet me fituesin e duelit tjetër çerekfinal ndërmjet Chelseat e Portos.

Zidane ka pranuar se nëse ekipi i tij futet në gjysmëfinale, atëherë sytë do të jenë kah trofeu i 14-të evropian.

“Unë mendoj se ekipi im është nënvlerësuar shumë. Unë kam besimin në ekipin tim dhe e di se çka është në gjendje të bëjë. Mirëpo nuk mund ta ndryshoj mendimin e të tjerëve. Përderisa kemi gjasa për të fituar diçka, ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim të madh dhe nuk do të dorëzohemi për asnjë moment”, ka thënë Zidane në konferencën për shtyp të hënën. “Do të luftojmë për secilin trofe. Kemi pasur momente të vështira këtë edicion, por tani jemi më mirë dhe të gatshëm për duelin me Liverpoolin”.

Edhe Real Madridi shpreson ta ndalë hovin e Liverpoolit Futboll Real Madridi shpreson ta ndalë hovin e Liverpoolit

Zidane nuk ka përjashtuar mundësinë që në ndeshjen e parë, që do të luhet në Madrid, ta inkuadrojë Eden Hazardin, i cili i ka munguar ekipit në tri duelet e fundit. Hazard është stërvitur me ekipin të hënën dhe pritet të jetë i gatshëm.

“Kam folur me Hazardin dhe ai është i qetë për këtë situatë. Gjëja e rëndësishme është se Hazard është rikuperuar dhe dua ta kem në ekip”, është shprehur Zidane.

Reali në këtë ndeshje do të jetë pa kapitenin Sergio Ramos që u lëndua derisa ishte në grumbullim me Përfaqësuesen e Spanjës. Ramos luajti një rol kyç në triumfin e Real Madridit përballë Liverpoolit në finalen e vitit 2018. Pas asaj humbjeje, Liverpooli u kthye fuqishëm duke triumfuar në Champions dhe Premier League dy sezone më vonë.

Mirëpo, këtë edicion, ngjashëm si Reali, Liverpooli ka pasur rezultate të zbehta. Aktualisht është në pozitën e gjashtë në tabelë në kampionatin anglez dhe ka 24 pikë më pak se Manchester City që është lider.

“Nuk mendoj për të shkuarën. Është ndeshje e madhe për të dyja ekipet dhe dallon tërësisht nga finalja e Kievit. Ne jemi përgatitur për një ndeshje tjetër pasi e vlerësojmë Liverpoolin si kundërshtar të fortë por nuk ndihemi të nënshtruar fare përballë tij. Mund ta përballojmë si kundërshtar dhe do të mundohemi ta eliminojmë, në mënyrë që në fund ta fitojmë trofeun”, ka thënë Zidane.

Liverpooli ndaj Real Madridit luan pas triumfit në kampionat, në udhëtim te Arsenali (3:0), që ishte fitorja e tretë rresht në Premier League.

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp në konferencën për shtyp ka pranuar se ekipi i tij ka gjasa të mira të marrë një rezultat të favorshëm në ndeshjen e parë. Megjithatë, ai ka thënë se nuk e ka në mendje hakmarrjen ndaj Realit për humbjen që ia shkaktoi në vitin 2018.

“Ekipi është maksimalisht i motivuar, jo për shkak se e kemi humbur finalen por për shkak se do të përballemi me Real Madridit, një ekip shumë i fortë. Natyrisht që më kujtohet humbja në finale por ne nuk do të kërkojmë të revanshohemi për atë sepse tani është një ndeshje krejtësisht tjetër. Besoj që kemi mundësinë për një rezultat të mirë edhe pse Reali është favorit në këtë ndeshje”, është shprehur Klopp. “Jemi në garë për këtë trofe dhe besoj në një paraqitje të mirë”.

Krahas Liverpoolit, të martën mbrëma në kuadër të çerekfinaleve të Championsit do të luajë edhe një ekip tjetër nga Premier League.

Edhe Madridi i vendosur të mos lejojë kthimin e Liverpoolit Sport Madridi i vendosur të mos lejojë kthimin e Liverpoolit

Lideri Manchester City e pret në shtëpi skuadrën e Borussia Dortmundit. Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, para ndeshjes ka vlerësuar lart ekipin gjerman, por edhe sulmuesin norvegjez Erling Haaland. Madje Guardiola ka thënë se City është në gjendje t’i shpenzojë mbi 100 milionë euro për një lojtar të kalibrit të Haalandit. Ky i fundit pritet të largohet nga Dortmundi këtë verë pasi po kërkohet nga skuadrat e mëdha të Evropës. Sulmuesi 20-vjeçar këtë edicion ka shënuar 33 gola në 32 ndeshje në të gjitha garat për Dortmundin.

“Haaland është një sulmues i jashtëzakonshëm dhe numrat flasin për të. Të gjithë e kanë parasysh se bëhet fjalë për një sulmues fantastik. Nuk është lehtë të gjesh një lojtar të moshës së tij që shënon kaq shumë gola. Tani për tani, klubi ka vendosur të mos shpenzojë 100 milionë euro për një lojtar por në të ardhmen nuk dihet”, është shprehur Guardiola.

Edhe pse Dortmundi po ka telashe në Bundesligë, prania e Haalandit në repartin e sulmit paraqet rrezik serioz për Cityn, ekip që po lufton këtë edicion për katër trofe. City pothuajse ka siguruar titullin e kampionit në Premier League, është në finale të League Cup dhe gjysmëfinale të FA Cup. Mirëpo, Guardiola ka pranuar se fokusi i ekipit të tij është triumfi në Champions, garë në të cilën City është eliminuar në çerekfinale në tri sezonet e fundit.

Në të vërtetë City asnjëherë nuk ka triumfuar në Champions derisa Guardiola për herë të fundit e ka fituar këtë garë në vitin 2011, si trajner i Barcelonës.

“Eliminimi edicionin e shkuar ishte shumë zhgënjyes dhe tani shpresoj se mund ta përmirësojmë atë gabim. E kemi një mundësi të mirë, por nuk duhet të ngutemi. Kemi përballë një ekip të papërshtatshëm si Dortmundi dhe duhet të tregohemi maksimalisht të kujdesshëm. Shqetësimi i vetëm i imi është që ta fitojmë këtë ndeshje dhe pastaj atë të kthimit në Dortmund. Nuk do të jetë lehtë”, ka pranuar Guardiola.

Ndërkohë mesfushori Rodri ka insistuar se City e ka obligim ta fitojë këtë edicion Ligën e Kampionëve për ta nderuar sulmuesin Sergio Aguero, i cili do të largohet nga ekipi anglez pas një dekade.

“Jemi të motivuar për ta fituar këtë garë, veçanërisht për shkak të Sergio Agueros që po e luan edicionin e fundit me Cityn. Do të ishte një dhuratë fantastike si për Agueron ashtu edhe për klubin triumf në Champions”, është shprehur Rodri. “Megjithatë ndaj Dortmundit duhet të bëjmë një lojë të kujdesshme sepse është një ekip me një sulmues vrastar si Haalandi”.

E martë (21:00)

Edhe Benzema, i gatshëm për Liverpoolin Sport Benzema, i gatshëm për Liverpoolin

Real Madrid – Liverpool

Man. City – Borussia D.