Real Madridi u mësua të bënte rikthime dramatike në edicionin e kaluar të Ligës së Kampionëve. Tani i duhet të shmangë një të tillë për të vazhduar rrugën drejt mbrojtjes së titullit të kampionit.
Është Liverpooli që ka nevojë për paraqitje magjike në stadiumin “Santiago Bernabue”, të mërkurën prej orës 21:00. Më 21 shkurt, Liverpooli ishte mposhtur 5:2 nga Real Madridi në ndeshjen e luajtur në “Anfield”. Ishte ndeshja e parë e një të tetës së finales së Championsit.
Rezultati i ndeshjes së parë e bën Real Madridin favorit të madh. Por asgjë nuk mund të llogaritet e përfunduar.
Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë për Liverpoolin. Asnjë skuadër mysafire që e ka humbur ndeshjen e parë me tre gola dallim në Ligën e Kampionëve nuk ka avancuar tutje. Vetëm pesë herë një skuadër që humbi në shtëpi arriti përmbysjen si mysafir. Manchester Unitedi është ekipi i vetëm që është kthyer kur ishte dy gola prapa, në një të tetën e finales në vitin 2019 nga PSG-ja.
Liverpooli bëri rikthim të madh si vendas në gjysmëfinalen e vitit 2019, ndaj skuadrës tjetër spanjolle, Barcelona. Kishte humbur 3:0 në Barcelonë para se të fitonte 4:0 në shtëpi. Atë kampanjë e përfundoi me titull të kampionit. Vetëm edhe tri skuadra tjera kanë avancuar pasi kishin humbur ndeshjen e parë me tri apo më shumë gola dallim – Barcelona, Roma dhe Deportivo La Coruna.
“Duhet të shkojmë dhe të bëjmë diçka të veçantë”, ka thënë mbrojtësi i Liveproolit, Trent Alexander-Arnold.
Madridi, që mposhti Liverpoolin në finalen e kaluar për titullin e 14-të evropian, kishte bërë kthime dramatike në edicionin e kaluar. Këtë e kishte bërë ndaj PSG-së në një të tetën e finales, ndaj Chelseat në çerekfinale dhe ndaj Manchester Cityt në gjysmëfinale.
Madrilenët u kthyen edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Liverpoolit. Ishin duke humbur 2:0 në pjesën e parë, për të shënuar fitore të madhe më pas. Vinicius Junior dhe Karim Benzema shënuan nga dy gola, ndërsa Eder Militao e shtoi një.
Trajneri i Madridit, Carlo Ancelotti, pret që ndeshja e dytë të jetë e hapur. Ancelotti ka paralajmëruar se ekipi i tij nuk do të fokusohet shumë në mbrojtje.
“Mesazhi për ekipin është i thjeshtë. Do të mundohemi të luajmë sa më mirë që është e mundur, njëjtë si në ndeshjen e parë. Duhet të jemi në lojë nga fillimi. Duhet të hyjmë në lojë me intensitet maksimal dhe me entuziazëm. Do të mundohemi ta fitojmë edhe ndeshjen e dytë”, ka theksuar Ancelotti.
Hera e vetme që Madridi dështoi të avancoi në Ligën e Kampionëve pasi fitoi ndeshjen e parë në udhëtim ishte në vitin 2019, kur u eliminua nga Ajaxi në një të tetën e finales.
Madridi ka fituar gjashtë prej shtatë ndeshjeve të fundit ndaj Liverpoolit në Ligën e Kampionëve, duke barazuar në një ndeshje. Skuadra i dha fund serisë prej tri ndeshjeve pa fitore, me triumfin 3:1 ndaj Espanyolit të shtunën. Pritet që Ancelotti të ketë në dispozicion Ferland Mendyn dhe Benzeman pas rikuperimit të tyre nga lëndimet.
Liverpooli mori tjetër goditje në fundjavë, kur u mposht 1:0 nga Bournemouthi.
Të mërkurën prej orës 21:00 luhet edhe takimi Napoli – Eintracht Frankfurt. Napoli ka fituar 2:0 në Frankfurt në ndeshjen e parë. Tani synon ta mbrojë atë fitore dhe të avancojë tutje.
Këto janë ndeshjet e fundit të një të tetës së finales së Championsit.
Shorti i çerekfinales është të premten prej orës 12:00.