Sport

Te Prishtina ndihen më të fortë tani që ndeshjet do t’i luajnë në Elbasan

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani i është gëzuar që turneu parakualifikues i Ligës së Kampionëve është zhvendosur në Shqipëri. Ramadani të mërkurën për KOHËN ka thënë se shpreson që ta shfrytëzojnë këtë përparësi.

Në fakt, Prishtina ka njoftuar të mërkurën se turneu është zhvendosur nga Ishujt Faroe në Shqipëri, dhe do të zhvillohet në Durrës e Elbasan.

Në gjysmëfinale të këtij turneu, Prishtina do të përballet me kampionin e San Marinos, Folgoren. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” më 22 qershor prej orës 20:00 derisa gjysmëfinale tjetër, do të zhvillohet në Durrës.

Finalja e këtij turneu, gjithashtu do të luhet në Elbasan më 25 qershor prej orës 20:00.

“Zhvillimi i ndeshjeve parakualifikuese në Shqipëri për ne është e mirëseardhur për shumë arsye. Kemi klimën e njëjtë me temperaturë të njëjtë. Shqipëria për ne është vendi jonë ku ndihemi si në shtëpi. Duke ia shtuar edhe shmangien e udhëtimit të gjatë që duhej ta bënim me të vërtetë është një përparësi e mirë për ne që ta ruajmë freskinë, por edhe psiqikisht na bën më të fortë që luhet në Elbasan. Shpresoj ta shfrytëzojmë këtë përparësi”, ka thënë Ramadani për KOHËN.

Prishtina për turneun parakualifikues të “Championsit” është duke u përgatitur në qytetin e Gjakovës. Në plan kishte disa ditë t’i kaloj edhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Por, Ramadani thekson se tashmë planet për në Ohër anulohen. Do t’i vazhdojnë në Shqipëri. Prishtina është skuadra e vetme që për çdo edicion ka qenë pjesëmarrëse në garat evropiane.

Nuk ka ndonjë rezultat të madh, por atë pret ta bëj këtë edicion, kur për herë të parë paraqitet në parakualifikimet e “Championsit”.