Sport

Te Norvegjia thonë se është dashur të shënojnë më shumë gola, ankohen në lojë të ashpër të Kosovës

Mediat norvegjeze kanë shkruar se Kosova ishte dukshëm më e organizuar se Armenia, por larg nivelit për ta rrezikuar Norvegjinë.

Futbollistet e Norvegjisë të martën mbrëma fituan 3:0 ndaj Kosovës, ndërsa javën e kaluar e mposhtën Armeninë me 10:0. Norvegjia ka dominuar në “Fadil Vokrri”, ndërsa ka krijuar shumë raste shënimi.

“Të gjithë mendojmë se është dashur të shënojmë më tepër gola. Por kemi fituar me meritë 3:0”, ka thënë futbollistja norvegjeze, Caroline Graham Hansen. Ajo është ankuar edhe në lojë të ashpër të lojtareve të Kosovës. “Është keq që ato nuk kanë zgjedhur situatat ku ka mundur të ketë lëndime. Është e rrezikshme”, ka shtuar Hansen, që është kapitene e Norvegjisë.

Sipas saj nëse arbitrja do të vepronte në pjesën e parë, starte të rrezikshme nuk do të kishte në fund të ndeshjes.

Edhe selektori i Norvegjisë, Martin Sjoegren është ankuar në lojë të ashpër të vendaseve.