Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Mura vlerësojnë besnikërinë e Mirlind Dakut

Mirlind Daku të paktën edhe një sezon do të luajë në Slloveni, te klubi i futbollit Mura. Mura ka arritur marrëveshje të hënën me Osijekun për t’ia vazhduar huazimin Dakut edhe për një vit tjetër. Klubi slloven po ashtu ka fituar të drejtën e blerjes së kartonit të sulmuesit nga klubi kroat pas përfundimit të sezonit 2022/23 në elitën e futbollit të Sllovenisë. Te Mura i janë gëzuar kthimit të Dakut, që pas përfundimit të sezonit 2021/2022 u kthye tek Osijeku për të nisur përgatitjet me ekipin kroat për sezonin e ri. E kanë cilësuar si përforcim të madh. Te Mura, sulmuesi 24-vjeçar shënoi pesë gola dhe asistoi po aq herë në 16 ndeshje. Me Dakun në sulm, Mura synon të luftojë në tri fronte. Synon të paraqitet sa më mirë në kualifikimet e Ligës së Konferencës dhe të luftojë për titull dhe Kupë të Sllovenisë.

Kryetari i klubit slloven, Robert Kuzhmiq, është shprehur i lumtur që Daku do të mbetet pjesë e Muras edhe për sezonin e ri.

“Jemi të kënaqur që arritëm të merremi vesh me Osijekun për vazhdimin e huazimit. Dua t’i falënderoj për bashkëpunimin profesional. Në sezonin e kaluar, Mirlindi ka treguar se është një top-futbollist që tregoi shpejtë vlerat e tij. Ne besojmë në cilësitë e tij dhe kemi besim se ai do të na ndihmojë të luftojmë në tri fronte. Më vjen mirë që arritëm ta bindim Dakun të rikthehet në Mura. Ne fituam garën me disa klube për Dakun. Këtë e ndihmoi edhe dëshira e tij e madhe për të luajtur sërish me fanellën bardhezi”, ka thënë Kuzhmiq.

Sulmuesi nga Gjilani me Osijekun e Kroacisë ka kontratë deri në qershor të vitit 2024. Para se t’i bashkohej Osijekut, Daku luajti për Hajvalinë dhe Llapin në Kosovë. Nga Osijeku u huazua edhe te Kukësi dhe Ballkani. Drejtori sportiv i Osijekut, Denis Rajbar ka thënë se Dakun e kanë kërkuar gjysma e klubeve të Sllovenisë. Ai ka zbuluar se për Dakun ka pasur interesim edhe nga klube të tjera jashtë Sllovenisë.
“Në mendjen e Mirlindit ishte gjithmonë vetëm Mura. Ndryshe nga disa që puthën stemën e klubit një vit më parë dhe më pas harruan shpejt premtimet dhe lehtë pa mundim firmosën për një klub tjetër. Daku tregoi se çfarë do të thotë të mbash fjalën. Edhe pse gjysma e Sllovenisë dhe disa klube të tjera e donin atë, ai kurrë nuk ka parë një projekt më ambicioz se Mura. Shpresoj që tifozët të na ndihmojnë në të ardhmen, që në Fazanari të mos ketë më rehati për lojtarët të tillë për të cilët fanella e Muras nuk është gjë e shenjtë”, ka thënë Rajbar.

Daku me U21 e Kosovës ka shënuar tre gola në 13 paraqitje, ndërsa për ekipin A të “Dardanëve” ka luajtur pesë ndeshje nga nëntori i vitit 2020. Edhe sulmuesi gjilanas është i lumtur që mbeti edhe për një vit pjesë e Muras. Ai beson se sezonin e ri do të ketë paraqitje edhe më të mira, dhe do të shënojë më shumë gola.

Edhe Daku para vendimeve të rëndësishme në karrierë Sport Daku para vendimeve të rëndësishme në karrierë

“Jam i lumtur që jam kthyer në këtë qytet. Mura ka qenë gjithmonë opsioni i vetëm për mua, edhe pse ka pasur shumë oferta të tjera. U ndjeva mirë këtu, u dashurova me klubin dhe tifozët, kështu që jam shumë i lumtur që mund të vazhdoj të luaj me klubin bardhezi”, ka thënë Daku.

Sezonin 2021/2022, Mura e mbylli në vendin e katërt me 57 pikë. Sezonin e ri, synimet janë edhe më të mëdha.