Te skuadra e KFF Mitrovicës janë ndarë të kënaqur me fitimin e Kupës së Kosovës. Për KFF Mitrovicën ishte Kupa e gjashtë e fituar në Kosovë. Megjithatë, trajneri Fahredin Duraku, theksoi se duhet përmirësuar ende disa gjëra, në mënyrë që të shpallen kampion edhe në ligë.
“Mund të them që është kënaqësi të jesh trajner i kësaj skuadre. Në këtë skuadër ka mentalitet fituesi. Për vite të tëra po përsëriten sukseset, fitimet e trofeve. Ka qenë ndeshje derbi jo vetëm mes dy klubeve më të mira në Kosovë, por edhe në rajon. Kishte emocione. Qëlluam shtyllën, udhëhoqëm, por më pas ra koncentrimin dhe disiplina. E dorëzuam lojën për pak kur Hajvalia edhe e barazoi rezultatin. Por ne treguam mentalitetin e fituesit dhe në fund fituam 2:1. Shpresojmë të vazhdojmë me suksese edhe më tej. Kjo fitore është shumë e rëndësishme për ne. Do t’i korigjojmë gabimet pasi nuk jam i kënaqur për 90 minutat e luajtura, por urojmë që t’i përmirësojmë gabimet dhe ta fitojmë edhe kampionatin”, theksoi Duraku.
Kapitenia e KFF Mitrovicës, Kaltrina Biqkaj, tha se kjo Kupë e fituar, do të jetë motiv shtesë për një tjetër sukses në kampionat.
“Normalisht se edhe vetëm të jesh finalist është nder dhe krenari, por kur e fiton trofeun është ndjenjë edhe më e madhe. Kemi fituar një tjetër kupë dhe kemi vazhduar me suksese. Pas fitimit të Kupës së Kosovës do të vazhdojmë edhe më fuqishëm, pasi atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Uroj të dalim kampionë edhe në kampionat”, është shprehur Biqkaj.