Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Maqedonia e Veriut po ruajnë më të mirën për Kosovën

Ndeshjet në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve kanë trimëruar Maqedoninë e Veriut para sfidës ndaj Kosovës, që është më 8 tetor në Shkup.

Maqedonia V. dhe Kosova do të luajnë për një vend në finale të plejofit për “Euro 2020”.

Të martën Maqedonia e Veriut luajti 1:1 me Gjeorgjinë në Tbilisi, ndonëse për gjysmë ore luajti me një lojtar më pak në fushë.

Selektorit Igor Angelovski ka përgëzuar lojtarët për pikën e merituar, por të fituar me shumë vështirësi.

“Këto ndeshje janë të rëndësishme për të parë se ku jemi pas pushimit të gjatë. E kemi përfunduar këtë mini-cikël me katër pikë dhe jam i lumtur, ndonëse e di që nuk janë paraqitjet tona më të mira”, ka thënë Angelovski. “E di që më e mira e djemve do të shfaqet më 8 tetor ndaj Kosovës. Dua që vetëm të gjithë lojtarët në dispozicion të jenë të shëndetshëm në këtë kohë të koronavirusit. E di që do të ofrojmë më të mirën ndaj Kosovës”, ka shtuar selektori i Maqedonisë së Veriut. Kosova të dielën humbi nga Greqia, kurse të enjten e kaluar kishte luajtur 1:1 me Moldavinë.