Sport

Te Kosova shpresojnë për rezultat pozitiv në Suedi

Futbollistëve të Përfaqësueses së Kosovës u ka mbetur vetëm edhe një stërvitje para se të përballen për herë të dytë me Suedisë në kualifikimet për Botërorin “Katari 2022”. Stërvitjen e fundit do ta kenë të premten në Solna, ku të shtunën para rreth 50 mijë shikuesve në stadiumin “Friends Arena”, do ta zhvillojnë ndeshjen e gjashtë kualifikuese. Por, pas stërvitjes që e mbajtën të enjten në Kompleksin e Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali, futbollistët e përfaqësueses Milot Rashica dhe Fidan Aliti u shprehën optimistë për rezultat pozitiv përballë suedezëve. Si Rashica ashtu edhe Aliti thanë se janë gati për sfidën ndaj suedezëve, meqë kanë theksuar se kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.

Në stërvitjen e fundit në Kosovë, “Dardanëve” i është bashkuar edhe Bersant Celina, ndërsa Toni Domgjoni ka marrë leje nga FIFA për ta përfaqësuar Kosovën. Kosovës i është bashkuar edhe Lirim Kastrati që luan te Legia e Varshavës. Ai ishte në dyshim për shkak të një lëndimi të vogël.

“Ka qenë një stërvitje e lehtë për ne, pasi të mërkurën kishim një stërvitje më intensive. Moti ka qenë pak i ftohtë, por nuk ka qenë stërvitja shumë e gjatë. Gjatë gjithë javës kemi stërvitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe do të shkojmë në Suedi për rezultat pozitiv. Këtë grumbullim kemi pasur disa ditë më shumë kohë stërvitje për dallim nga herët e kaluara dhe besoj se kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe duke pasur parasysh lojën e mirë përveç rezultatit kundër Spanjës, kemi krijuar shumë raste dhe shpresojmë që këtë ndeshje ndaj Suedisë të arrijmë t’i konkretizojmë në mënyrën më të mirë”, ka thënë Rashica.

Ai pret që në Solna të ketë numër të madh të shikuesve shqiptarë në përkrahje të Kosovës.

“Atmosfera është shumë e mirë sidomos kur jemi bashkë në grumbullim. Jemi të bashkuar dhe besoj që kësaj radhe të dalim me rezultat pozitiv. ‘Dardanët’ besoj se do t’i gëzojmë kësaj radhe si shenjë falënderimi”, është shprehur Rashica.

Kosova për dy ndeshjet e këtij muaji është grumbulluar të hënën, ndërsa të premten do të niset për në Suedi. Në kampin e përfaqësueses është vlerësuar lart puna me përkushtim e futbollistëve.

Edhe pse me mot të ftohtë dhe me shi, puna e lojtarëve për asnjë minutë nuk u ndal edhe të enjten. Nisi me nxehje, ndërsa vazhdoi me ndarje të lojtarëve, disa me jelek me ngjyrë të verdhë. Kishin detyra të ndryshme, mbrojtja për të hequr topa nga zona, kurse lojtarët e fazës sulmuese të shënojnë gola. Puna vazhdoi me detyra të ndryshme për futbollistët, por kryesisht ishte e fokusuar në zonën e 16-metërshit. Pati edhe gjuajtje nga afërsia drejt portës, e po ashtu edhe gjuajtje nga penalltia.

Nuk ka munguar edhe angazhimi maksimal i Domgjonit në asnjë prej stërvitjeve të Kosovës, ndonëse vetëm pas stërvitjes të së enjtes mori lejen nga FIFA. Toni Domgjoni 23-vjeçar, që luan për Vitessen në Holandë më herët ka luajtur 18 ndeshje për Zvicrën U-21.

Edhe Aliti thotë se janë të gatshëm për ndeshjen ndaj suedezëve.

“Për ndeshjen kundër Suedisë besoj se ka qenë kohë e mirë, sepse i njëjti mot na pret atje. Besoj se jemi gati, sepse kemi pasur katër stërvitje dhe mendoj se kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme për ne. Besoj se secili prej nesh jemi 100 % gati dhe si ekip jemi gati maksimalisht për këtë takim. Kemi kohë të gjatë që nuk kemi luajtur para ‘Dardanëve’ dhe na bën krenar të luajmë para shikuesve tanë. Një falënderim u shkon atyre kudo që shkojmë. Shpresojmë t’ua bëjmë një dhuratë në Suedi për mbështetjen që na kanë bërë gjithë kohën”, ka thënë Aliti. Aliti më herët ka luajtur në Suedi për skuadrën e Kalmarit.

Pas ndeshjes kundër Suedisë, Kosova më 12 tetor luan ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kosova është në vendin e katërt të Grupit B me katër pikë nga pesë ndeshje të zhvilluara.