Gjermania U21 e Kosova U21 të premten prej orës 18:00 luajnë ndeshje në Chemnitz. Ndeshja i takon Grupit D të kualifikimeve për Euro 2025.
Shpresat e Gjermanisë kanë fituar katër ndeshjet e deritashme dhe udhëheqin në grup me 12 pikë.
Kosova U21 ndërkohë i ka gjashtë ndeshje të zhvilluara. Ka dy fitore, dy barazime e dy humbje. Me tetë pikë renditet e katërta prej gjashtë përfaqësueseve sa janë gjithsej.
Më 12 shtator në Prishtina, Gjermania U21 kishte fituar 3:0 ndaj Kosovës. Gjermanët janë favoritë të mëdhenj edhe për ndeshjen në Chemnitz.
“Do ta shikojmë ndeshjen e kaluar ndaj Kosovës. Përfundimisht nuk do të jetë ndeshje e lehtë. Përfundimisht rivalët do të vendosen në mbrojtje dhe do të shikojnë për kundërsulme”, ka thënë futbollisti i Gjermanisë, Ansgar Knauff për sajtin zyrtar të Federatës gjermane.
Kosova U21 është grumbulluar në Gjermani për këtë ndeshje.