Sport

Te Flamurtari ndiejnë se janë penalizuar

Klubi i futbollit Flamurtari është vënë shpeshherë në shënjestër të akuzave nga persona të ndryshëm të klubeve të Superligës, për favorizim nga ana e arbitrave. Kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani, është vëllai i Agim Hasanit, zyrtar i klubit kuqezi nga Prishtina.

Dhe kjo lidhje familjare ka penalizuar Flamurtarin, ndër të tjera. Kështu thotë kryetari i Flamurtarit, Imer Ademi.

Ademi thotë se të gjitha akuzat janë të pavërteta, kurse insiston se asnjëherë nuk ka kërkuar favor nga familja Hasani, që ka edhe disa futbollistë pjesë të saj. Madje thotë se në shumë ndeshje janë dëmtuar nga gjyqtarët.

“Flamurtari është ekip i madh, mirëpo është pre e thashethemeve nga njerëz të ndryshëm. Flasin shumë gjëra të pavërteta. Janë folur shumë gjëra të paqena për ne, ku ju them sinqerisht se janë të pavërteta. Na ka dëmtuar fakti se klubi është i familjes Hasani, që Përparim Hasani ka qenë te Flamurtari. Nuk u kam kërkuar Agim Hasanit dhe Përparim Hasanit të bëjmë diçka të keqe. Agim Hasani, që është pjesë e klubit dhe vëllai i tij që është kryetar i referëve, na kanë penalizuar”, ka thënë Ademi të hënën për KOHËN.

Humbja e Flamurtarit të dielën në shtëpi nga Gjilani (1:0) kombinuar me fitoren e Trepçës ’89 përballë Prishtinës (2:1) dhe fitoren e Drenicës ndaj Dukagjinit (1:0) ia pamundësoi mbijetesën në Superligë skuadrës kuqezi nga kryeqyteti.

Për rënien nga elita, Ademi akuzon edhe disa klube, duke theksuar se nuk kanë qenë korrekt në fushë.

“Ka ndikuar rrjeti mafioz në Superligën e Kosovës, i cili merret me kurdisje, falje të pikëve të ekipeve të papërgjegjshme dhe montim të ndeshjeve. Flamurtari nuk u bë lojë e atyre ekipeve dhe u desh të bjerë nga Superliga. Flamurtari është direkt pre e manipulimeve. Çdo person që merret pak me futboll e vërteton lehtë se çka është bërë në Mitrovicë, Drenas, në ndeshjen e fundit në Drenicë. Mirëpo kapaku i është vënë në dy ndeshje në Mitrovicë, me Llapin dhe Prishtinën”, ka thënë Ademi.

Në fakt, ka pasur akuza se Prishtina ia ka lëshuar ndeshjen Trepçës ’89 në Mitrovicë. Por, trajneri i Prishtinës, Armend Dallku thotë se futbollistët e tij kanë luajtur futboll të pastër.

“Ne kemi luajtur gjithë futboll, pavarësisht atakimeve për ndeshjen e fundit. Nuk ishte në interesin tonë lodhja e lojtarëve, sepse mënyra e vetme për dalje në Evropë është të fitojmë kupën. Ata fatin e kishin në dorën e vet dhe jo të atakohet dikush që i ka larguar prej ligës, kur nuk kanë mundur ta fitojnë ndeshjen. Forcat i kemi ruajtur për finalen e kupës, t’i kemi lojtarët të freskët”, ka thënë Dallku.