Edhe një terren tjetër do të kthehet nga fushë me bari natyral në fushë me bari sintetik.
Është Flamurtari i Prishtinës që ka hequr barin natyral nga fusha e stadiumit të tij, për ta kthyer në fushë sintetike. Te Flamurtari kanë numëruar disa arsye që i kanë shtyrë ta heqin barin natyral.
Drejtori i klubit, Agim Hasani, thotë se rënia e interesimit të nxënësve në shkollën e futbollit dhe problemi për ta mirëmbajtur fushën kanë qenë pikat kryesore që kanë shtyrë të nisin rinovimet në stadium. Hasani ka thënë se do të vendosen edhe reflektorët, ndërsa edhe tribuna do të bëhet me ulëse. Ndonëse me infrastrukturë minimale, stadiumi i Flamurtarit është prej të njohurve në vend.
“Jemi detyruar ta kthejmë fushën me bari sintetik për shkak se për 80 % interesimi i nxënësve për t’u regjistruar në shkollë të futbollit ra. Fusha filloi ta humbë efektin dhe u bë e vështirë për ta mirëmbajtur. Është bërë për të mirën e klubit edhe pse e kuptojmë se lëndimet mund të vijnë më shpejt, por nuk kemi pasur zgjidhje tjetër. Edhe ne thuajse të gjitha ndeshjet i kemi luajtur në fushë me bari sintetik. Ku kemi shkuar për të luajtur, fushat kanë qenë sintetike. Besoj se në fillim të sezonit të ri do t’i luajmë ndeshjet tona si vendës. Po punohet me intensitet të lartë dhe besoj se do të përfundojnë të gjitha punimet”, ka thënë Hasani të dielën për KOHËN
Fusha e stadiumit të Flamurtarit është vlerësuar për mirëmbajtjen. Është lavdëruar nga klubet kundërshtare fusha, por, sipas drejtorit, ajo nisi të dëmtohet për shkak të ngarkesës së madhe.
Flamurtari është klubi i fundit i Prishtinës që kthen fushën me bari sintetik. Para Flamurtarit fushat me bari sintetik i kanë bërë edhe 2 Korriku e Ramiz Sadiku, që po ashtu garojnë në Ligën e Parë.
Në fakt, edhe shumë klube të Superligës janë duke i zhvilluar ndeshjet në fusha me bari sintetik, ndonëse nga Federata e Futbollit e Kosovës ka pasur thirrje ndaj klubeve të Superligës që t’i kthejnë fushat e stadiumeve të tyre nga ato sintetike në fusha me bari natyral.
“Kemi filluar ta bëjmë riorganizimin e plotë në klub. Punimet në fushë kanë filluar tashmë dhe tapeti natyral është larguar për t’u vendosur sintetiku. Edhe tribunat do të bëhen të reja, po ashtu do të ketë edhe reflektorë”, është shprehur Hasani.
Hasani ka theksuar se bari sintetik është siguruar nga Federata e Futbollit e Kosovës. Obligimet e tjera i ka marrë përsipër kryetari i klubit, Imer Ademi.
Flamurtari synon kthimin në Superligë.
“Gjithë ky riorganizim e po ashtu edhe investim janë duke u bërë me të vetmin qëllim që kemi. Pra, synimi është kthimi në Superligë dhe po ashtu të nxjerrim talentë siç kemi bërë edhe në të kaluarën, sepse Flamurtari është klub që ka nxjerrë vazhdimisht talentë”, ka deklaruar Hasani.
Flamurtari aktualisht është në vendin e shtatë me 34 pikë në Ligën e Parë, Grupi B.
“Jemi të kënaqur me punën e stafit e të trajnerëve. Do ta ruajmë boshtin e skuadrës, e po ashtu do të angazhojmë edhe ndonjë lojtar nga kategoria e juniorëve. Por besoj se do të ketë edhe transferime të shumta cilësore nga Superliga, sepse atë edhe e kemi synim, pra të kthemi në Superligë”, ka thënë Hasani.