Kryetari i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi, mendon se çdo gjë që bëhet në Federatën e Futbollit të Kosovës, kalon nëpër zyrat e kryetarit Agim Ademi. E çdo gjë e dëmshme që bëhet, atëherë ka firmën e Ademit.
Ejupi, në Express Intervistën e KTV-së, ka thënë se Ademi qëndron pas suspendimit të tij 1-vjeçar. Sipas tij, kjo u bë për t’ia pamundësuar pjesëmarrjen në Kuvendin e FFK-së.
“Në pamundësi të marëë pjesë në Kuvendin e FFK-së, më duhet ët flasë në media për të gjitha. Një dënim i pamerituar, ka pas vepra shumë më të mëdha, që s’janë dënuar. Por kushdo që sot nuk pajtohet me kryetarin Ademi, kushdo sot që kritikon, atëherë pëson si unë apo si Arianit Ahmeti (ish-zv.sekretar i FFK-së v.j.). Të gjithë që do të kritikojnë në të ardhmen do të pësojnë sikurse ne”, ka thënë Ejupi.
Ai tha se vendimi i tij nuk është marrë nga Komisioni Disiplinor.
“Është marrë në 10 të natës, direkt nga kryetari Ademi”, ka thënë ai.
Ai është dënuar pasi ka kritikuar përfaqësuesen e Kosovës, përkatësisht lojtarët dhe ata që merren me menaxhimin e tyre, e deri në FFK për humbjen në ndeshjen ndaj Maqedonisë, në plejofin e Ligës D të Kombeve. Kosova humbi në gjysmëfinale 2:1, e më pas Maqedonia mposhti në finale Gjeorgjinë dhe siguroi Evropianin.
“Do të ishte madhështore, një shans që nuk vjen më. Është e habitshme qysh 10 lojtarët më të mirë nuk marrin pjesë. Muriqi luan për klubin e tij para ndeshjes, pastaj me Kosovën nuk luan, e më pas luan sërish për klubin e tij dhe shënon gol. Të arsyetohesh se Maqedonia ka pritur 30 vjet për kualifikimin, tash duhet të presim edhe ne, është e pandershme. Kemi humbur shumë, popullaritetin që do të merrnim me këtë ngjarje është diçka që nuk përshkruhet. Pastaj loja me Slloveninë u pasua, është e pakuptimtë, e paarsyeshme, kemi qenë ekip më kualitativ, të futet edhe përçarja te lojtarët .... Në opinion flitet se ka përçarje. Ka pasur grupacione te lojtarët, pasi të mos ftohet Bernard Berisha është e pakuptimtë”, ka thënë Ejupi.
AI ka thënë se futboll është në gjendje shumë të keqe, sidomos nga ana financiare. Ka kritikuar Federatën se si në kohën më të vështirë, në pandemi, filloi me ndërtimin e fushave me bar artificial.
Ka akuzuar Federatën edhe për mostransparencë për fondet që merr nga UEFA dhe FIFA.
“Janë diku 120 milionë euro që klubet kanë shpenzuar nga viti 2000, është dashur të mobilizohen, e tash të ndihmohen. Flitet se janë futur në FFK mbi 40 milionë euro prej pranimit në UEFA dhe FIFA. Është momenti të ketë ndryshime, prej momentit kur jemi pranuar është një shumë goxha e madhe”, ka thënë ai.
Ejupi konsideron se është koha për ndryshime në futbollin e Kosovës. Kur tha këtë, shtoi se nuk mendon p ër postin e kryetarit, që sipas tij, do të duhej të ishte ceremonial dhe të delegoheshin përgjegjësitë te njerëzit e përgatitur.
“100 për qind, çdo gjë kontrollohet prej Ademit, asgjë s’lëviz pa lejen e tij, do të duhej të ishte ceremonial posti i tij, t’i delegonte punët, ka njerëz të aftë, por nuk e gjejnë veten derisa nuk mendojnë sikurse Ademi”, tha Ejupi.
Ai ka folur edhe për atë që e konsideron shumë të dëmshme, blerjen e heshtjes së klubeve apo edhe përkrahjen e tyre me ndihmat që federata u ndanë. Po ashtu, ka thënë se vota e shkollave të futbollit është bërë e barasvlefshme me ato të klubeve në kuvendet e FFK-së.
“E shkolla janë bërë si kërpudhat. Klubet frikësohen të flasin, pasi dëmtohen më pas me pikë, me referë e në mënyra të ndryshme. Mendoj se ka qenë një porosi për klubet tjera, pasi kur Prishtinës i jepet ky far dënimi, atëherë ju tjerët duhet të heshtni. Ka ardhur koha t’i thuhet stop keqmenaxhimit”, është shprehur ai.
Ejupi ka folur edhe për krizën në klubin Prishtina. Ka pranuar se lojtarët nuk kanë marrë dy pagat e fundit, dhe sipas tij, nuk është diçka e madhe krahasuar me situatën e rëndë.
“Prej privatizimit, më 2004 e deri më tash, kemi qarkulluar mbi 10 milionë euro, vetëm aksionarët kanë ndarë nga familjet e tyre pesë milionë euro. Jemi 18 aksionarë në klub dhe nuk është e rëndësishme se kush e udhëheq klubin”, ka thënë ai.