Presidenti i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi, ka njoftuar se mbrëmë është funksionuar me një vit moskryerje të funksionit të presidentit të klubit nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Ai ka thënë se FFK-ja e mori vendimin natën, që sipas tij tregon më së miri organizimin e federatës.
Ai ka thënë ky vendim është tentim për ta goditur fjalën e lirë dhe mendimin ndryshe.
“Siç jeni njoftuar tashmë, mbrëmë – natën - Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e shqiptoi një dënim ndaj meje me një vit moskryerje të funksionit të presidentit të FC Prishtinës. Këtë FFK’ja e bëri natën, gjë që më së miri e tregon organizimin e tyre të mbrapshtë. Sido që të jetë, ky dënim nuk i shqiptohet vetëm një delegati të FFK’së, por është tentim për ta goditur mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë nga ana e disa individëve të cilët e kanë kapur dhe po e mbajnë në grusht të shtrënguar FFK-në dhe futbollin e Kosovës”, ka shkruar Ejupi në Facebook.
FFK-ja mbrëmë ka suspenduar Ejupin me akuza për shpifje.
“Komisioni Disiplinor i shkallës së parë në rastin e shqyrtimit të rastit për bazë pati të gjitha shkrimet e publikuara si dhe incizimet televizive të transmetuara në; Insport.com (gazetë online) nga ana e kryetarit të FC Prishtina, z. Remzi Ejupi i cili shpif dhe përhap të pavërteta për Federatën e Futbollit të Kosovës në pretendimet e tij të cituara përmes fjalëve; “skandali“ “keqpërdorimet”, “privatizimi“ , “grup njerëzish”, “infektimi i përzgjedhësit Bernard Challandes”, “humbja e ndeshjes ndaj Sllovenisë” dhe “dyshimet në bastore” e të tjera, për të cilat z. Remzi Ejupi ishte i obliguar që në kohën e përcaktuar nga ana e Komisionit të sjellë fakte dhe të sigurojë prova për të gjitha këto të thëna, por një gjë e tillë nuk ndodhi, andaj komisioni disiplinor i shkallës së parë duke respektuar Dispozitat e Rregullores disiplinore; neni 61 Paragrafi 1 pika b; sjellë vendimin e lartshënuar për dënimin e z. Remzi Ejupi kryetar i FC Prishtina me ndalesë për kryerjen e të gjitha funksioneve zyrtare në klub në kohëzgjatje për; 1 (një) vit në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Ejupi ka thënë se di delegat i federatës ka kërkuar gjithmonë llogari nga ata që e udhëheqin FFK-në. Ai ka thënë se kishte propozuar një auditim të pavarur.
Edhe
Ejupi akuzon kreun e FFK-së për ndikim, mostransparencë, hakmarrje e blerje të votave
“Siç e dini, prej anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA në FFK janë mbi 40 milionë euro të hyra. Kur unë se delegat i FFK’së, apo edhe delegatë të tjerë, nuk e dimë asnjëherë se ku janë apo ku kanë shkuar ato miliona euro, aq më pak e di opinioni i gjerë. Andaj, kam kërkuar sqarim për këtë dhe e kam propozuar një auditim të pavarur dhe të besueshëm në FFK dhe se e kam shprehur qëndrimin tim se nuk u besoj raporteve financiare që përpilohen sipas dëshirës së krerëve të FFK’së, të cilat ndoshta përpilohen po ashtu natën. Si delegat i FFK’së, asnjëherë nuk e kam pasur të qartë se ku kanë përfunduar paratë e biletave të gjithë atyre ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës! Është detyrë e jona si delegatë të federatës të kërkojmë llogari nga ata që e udhëheqin FFK’në dhe Kombëtaren e Kosovës edhe për rezultatet e skuadrës shtetërore, sepse ajo është ndër të rrallat që e bën çdo qytetar të Kosovës të lumtur me vendin e vet, ku dihet se në segmente tjera Kosova jon nuk është që i ka punët mirë. Është krejt e natyrshme që një delegat të kërkojë sqarime nga kryesia aktuale e FFK’së ta thotë të vërteten e mungesës së shumë futbollistëve në ndeshjet vendimtare të Kosovës, me ç’rast, duke e humbur shansin ideal të kualifikimit në Kampionatin Evropian Kosova e humbi mundësinë e përfitimit të 15 milionë eurove, me të cilat futbolli ynë do të kalonte automatikisht në një nivel tjetër”, ka shkruar Ejupi.
Ai ka thënë se ka planifikuar që të bënte gjitha pyetjet në Kuvendin e ardhshëm, por me dënimin që i është dhënë, i është pamundësuar të marrë pjesë në Kuvend.
“Është krejt normale që delegatët – të cilët që nga pas lufta kanë investuar mbi 100 milionë euro në futbollin e Kosovës – të kërkojnë llogari dhe sqarime për pagat dhe shpenzimet që bëhen në FFK, nga punësimet pa konkurse në FFK, për mënyrën se si ndahen paratë e destinuara nga UEFA për klubet në krizë që mezi mbijetojnë dhe për mënyrën se si FFK i ndan ato në përpjekje për t’i stopuar te delegatët apo klubet tjera pyetje të ngjashme si këto të mijat. Këtij qëllimi bukur shumë ia ka arritur. Këto pyetje planifikoja t’i bëja në Kuvendin e ardhshëm, i cili është dashtë të mbahej qysh moti. Por që ata që e kanë kapur FFK’në vazhdojnë të marrin kohë dhe njëkohësisht të punojnë në terren për të stopuar pyetje si këto. Mua ma pamundësuan pjesëmarrjen në Kuvend dhe parashtrimin e këtyre pyetjeve duke më dënuar në këtë formë. Dënimi ndaj fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe ishte opsioni i vetëm i tyre për të më pamundësuar që këto pyetje t’i bëj aty ku është vendi – në Kuvend. Ky është realiteti! Ky është futbolli i Kosovës i njollosur dhe i ngulfatur vetëm nga një grup i vogël njerëzisht!” – ka shkruar Ejupi.