Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FFK-ja hap procedurë disiplinore ndaj kryetarit të FC Prishtina

Komisioni Disiplinor i FFK-së ka hapur procedurë disiplinore ndaj kryetarit të FC Prishtinës, Remzi Ejupi, për deklarimet që ka bërë në media, të cilat FFK-ja i ka quajtur të pavërteta.

Është kërkuar deklaratë nga Ejupi lidhur me rastin, që të ofrohen fakte të vërtetuara për të gjitha ato që janë pretenduar në citimin e fjalëve të publikuara si “skandali”, “keqpërdorimet”, “privatizimi”, “grup njerëzish”, “infektimin e përzgjedhësit Bernard Challandes”, “humbja e ndeshjes me Slloveninë dhe dyshimet në bastore e të tjera”.

Disiplinori ka thënë se Ejupi obligohet të sigurojë fakte dhe të ofrojë dëshmi deri më datën 6 janar.

"Komisioni disiplinor i shkallës së parë në përbërje; Met  Çeku – kryetar dhe  Dukagjin Zefi, Luan Salihu, Avni Shala dhe Bekim Behrami – anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 30.12.2020 shqyrtoi  shkrimet e publikuara si dhe incizimet TV të transmetuara në Insporti.com  dhe Zëri.info (gazeta online) nga ana e kryetarit të FC  Prishtina nga Prishtina z. Remzi Ejupi, të cilat në përmbajtje janë shpifje dhe përhapje të pavërtetave  për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe  anëtaret e saj  dhe për të njëjtat duke iu referuar nenit  97 paragrafi 1 pika; e dhe f të Rregullores  disiplinore nxjerri  këtë vendim:  Hapet  procedura  disiplinore ndaj kryetarit të FC Prishtina nga Prishtina, z.  Remzi  Ejupi  lidhur me rastin  deri në kompletimin e provave – lëndës . Kërkohet  deklarata nga  zyrtari  në procedurë disiplinore; kryetari i FC Prishtina  z. Remzi Ejupi  lidhur me rastin; që të ofroni prova  me fakte të vërtetuara  për të gjitha ato të thëna  në të cilat pretendoni në citimin e  fjalëve të publikuara  si; “skandali“, “keqpërdorimet“, “privatizimi“, “grup njerëzish“, infektimin e përzgjedhësit Bernard Challandes, humbja e ndeshjes ndaj Sllovenisë dhe  dyshimet në bastore e të tjera  për të cilat obligoheni që t’i siguroni  dhe dëshmoni  – ofroni; prova  dhe  fakteve  deri me datë 06.01.2021", thuhet nga FFK-ja.