Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Buduqnosti insistojnë se janë ekip më i madh se Llapi

Trajneri i Buduqnostit të Podgoricës, Aleksandar Nedoviq ka pranuar se ekipi i tij është favorit përball Llapit, por ka thënë se për asnjë moment nuk do ta nënçmojnë skuadrën kosovare në Ligën e Konferencës.

Ai ka insistuar se Buduqnosti është ekip më i madh se Llapi. Buduqnosti në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, do të përballet me Llapin pas shortit të tërhequr të martën në Nyon.

Buduqnosti është vendas në ndeshjen e parë që luhet më 7 korrik, ndërsa në atë të kthimit pas një jave, udhëton në Kosovë.

Buduqnosti të mërkurën do të udhëtojë për në Zlatibor, ku do të qëndrojë deri më 28 qershor për fazën përgatitore dhe do të zhvillojë tri ndeshje miqësore.

“Përshtypja e parë është fakti se nuk na pret një rrugë e gjatë dhe e vështirë, që është një avantazh i madh në këtë periudhë. Derisa ta shikojmë rivalin në detaje, nuk mund të flasim për disa veçori tjera”, tha trajneri Nedoviq për sajtin “Vijesti”.

“Ne do t'i analizojmë ata derisa të jemi në Zlatibor, do t'i shikojmë të gjitha ndeshjet e tyre, do të monitorojmë nëse janë aktivë në merkato. Sigurisht, që Buduqnosti nuk mund të thotë se nuk është favorit, por nuk do ta nënvlerësojmë rivalin, sepse jemi të vetëdijshëm. Buduqnosti është një klub i madh, më i madh se Llapi dhe ne me siguri do të vendosemi në këtë mënyrë”.