Kampioni i Kosovës, Ballkani, për herë të parë do të marrë pjesë në garat evropiane, përkatësisht në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Te klubi nga Suhareka besojnë se do të shkojnë larg në kupat kontinentale.
Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuc, thotë se do të jenë arrë e fortë për të gjitha skuadrat kundërshtare në garat evropiane. Ballkani të martën do ta mësojë kundërshtarin e parë evropian, përkatësisht ekipin me të cilin përballet në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
UEFA ka njoftuar të hënën se cilët janë pesë kundërshtarët e mundshëm të skuadrës së Ballkanit në rundin e parë kualifikues të Championsit. Shorti tërhiqet të martën në mesditë në Nyon të Zvicrës. Ballkani në short nuk është bartës dhe në raundin e parë kualifikues përballet me njërën prej skuadrave: Malmo (Suedi), Bodo/Glimt (Norvegji), HJK Helsinki (Finlandë), The New Saints (Uells) e Zhalgiris (Lituani) që janë bartëse në short. UEFA të hënën i ka ndarë në tri grupe skuadrat e rundit të parë kualifikues, bazuar në koeficientin që e kanë. Deri të hënën skuadrat ishin të ndara në bartëse e jo bartëse për short, por UEFA vendosi edhe për një ndarje tjetër.
“Ballkani do të luaj për herë të parë në një garë evropiane, por trajneri dhe shumica e lojtarëve kanë përvojë në kualifikime. Ne do të bëjmë maksimumin që ta prezantojmë klubin në mënyrën e duhur dhe të përpiqemi të arrijmë sa më larg. Të gjithë mezi presim shortin. Jemi të vetëdijshëm që nuk ka kundërshtarë të lehtë, por një gjë e di me siguri se do të jemi një arrë e fortë për të gjithë. Të gjithë kundërshtarët janë të vështirë dhe sigurisht që kanë më shumë përvojë në garat evropiane. Ne luftuam për këtë ditë, nuk do të kemi frikë nga askush. Besoj në këtë klub dhe shokët e mi. Sinqerisht shpresoj që ne do të jemi sensacioni i kësaj vere evropiane”, ka thënë Kuq të hënën për KOHËN.
Ballkani është duke e kryer fazën përgatitore për garat evropiane në Maqedoni të Veriut. Ndeshjet e para të raundit të parë kualifikues të Championsit luhen më 5/6 korrik, ndërsa të kthimit më 12/13 korrik.
“Nuk patëm shumë kohë për të pushuar, por është sakrificë e ëmbël. Kemi tre vjet që e presim këtë moment, ndaj jemi gati të mirëpresim vazhdimin e përgatitjeve. Jemi duke u përgatitur në Ohër, kushtet janë të shkëlqyera”, është shprehur Kuq.
Ballkani është përforcuar me dy lojtarë, Qëndrim Zybën dhe Leonit Abazin, ndërsa ka vazhduar bashkëpunimin edhe me lojtarët që kanë bartur barrën kryesore në vitet e fundit. Ndërkohë nga klubi suharekas janë larguar Blend Baftiu, Ramiz Bytyqi, Argjend Malaj dhe Malsor Ajeti.
Kapiteni Kuc ka thënë se synimi i Ballkanit nuk është vetëm të shkojë larg në garat evropiane, por edhe ta mbrojë titullin e kampionit.
“Ballkani është gjithmonë pretendent dhe favorit për të fituar titullin. Nuk kemi ndryshime të mëdha në skuadër, ndaj sigurisht edhe këtë vit jemi kandidatët kryesorë për të fituar Superligën”, ka thënë Kuq.
Të martën kundërshtarët për kualifikimet e Ligës së Konferencës do t’i mësojnë Llapi, Drita dhe Gjilani.