Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Taylori mposht Serranon, në meçin historik të boksit në konkurrencë të femrave

Katie Taylor vs Amanda Serrano

Boksierja irlandeze Katie Taylor e ka mposhtur porto-rikanen Amanda Serrano, në një meç spektakolar, që po vlerësohet më i madhi në histori të boksit në konkurrencë të femrave.

Taylor të shtunën mbrëma mposhti 2:1 me vlerësim të gjyqtarëve porto-rikanen Serrano, ndërsa për herë të parë një meç në konkurrencë të femrave ishte kryesori në një mbrëmje të boksit në “Madison Square Garden” të New Yorkut.

Dy gjyqtarë e vlerësuan luftën në favor të Taylorit (96:93 dhe 97:93) ndërsa njëri në favor të Serranos (96:94).

Taylori i ka mbrojtur të katër titujt e mëdhenj të botës në kategorinë e lehtë. 35-vjeçarja ka bilanc prej 21 fitore në po aq meçe në boksin profesionist, prej tyre gjashtë me nokaut. Serrano ndërkohë ka pësuar vetëm humbjen e dytë në karrierë karshi 42 fitoreve e një barazimi. Serrano mban rekordin, ka fituar tituj bote në shtatë kategori të ndryshme.

Pas meçit, Taylor ka thënë se është e gatshme për një luftë të dytë me Serranon.

Ndërkohë promotori Eddie Hearn, ka thënë se revanshi mund të organizohet më vonë këtë vit, ndërsa stadiumi “Croke Park” në Dublin duhet të jetë vendi.