Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Taulant Xhaka tregon se kur do të bashkohet me Granitin

Superliga e Zvicrës do të fillojë në fundjavë. Baseli do të luajë në udhëtim kundër Zuerichut të dielën në orën 16:30, në ndeshjen e xhiros së 19-të. Taulant Xhaka nuk do të jetë i pranishëm te skuadra e Baselit shkaku i suspendimit, por ai ka dhënë intervistë të gjatë për mediumin zviceran “20min.ch”. Xhaka ka folur për edicionin jo të zakontë shkaku i dënimeve që ka marrë, por edhe për emocionet. Pashmangshëm ka përmendur edhe Granit Xhakën, duke rikonfirmuar rikthimin e tij te Baseli në të ardhmen.

Ai e di se popullariteti që ka Graniti është dukshëm më i madh, ndërsa në fushën e lojës kanë karakter e cilësi të ndryshme.

“Ne jemi vëllezër. Graniti njihet në të gjithë botën, ndërsa unë jam në Zvicër te Baseli. Ndoshta popullariteti që kemi bën që të jemi prezent në raportime. Në fushë jemi të ngjashëm, ndërsa jashtë fushës jemi krejtësisht të kundërt. Ai ndihet rehat kur flitet për të, ndërsa unë jo”, ka thënë fillimisht Taulant Xhaka.

Tutje ai ka shtuar se të dy vëllezërit e kanë mentalitetin e fituesit.

“Ne e kemi mentalitetin e fituesit. Babai ishte futbollist deri kur u burgos për arsye politike. Ne vetëm kemi dashur të luajmë futboll dhe të fitojmë. Por dua të jem i qetë jashtë fushës. Kam shoqëri dhe pëlqej të shkoj për pije e të ha qebapë”, ka vazhduar tutje Taulanti, që është vëllai i madh.

Ai foli edhe për kthimin e Granit Xhakës te Baseli.

“Për kthimin e tij nuk flitet shumë. Ndonjëherë dikush thotë: ‘Shiko, Graniti ka komentuar diçka, sërish’. Unë bëj sikur nuk kam parë asgjë, edhe pse, natyrisht, e kam ditur atë shumë kohë më parë”, thotë Taulanti duke qeshur.

Ditë më parë Granit Xhaka ka theksuar se dëshiron që një ditë ta ndajë fushën sërish me vëllain e tij.

“Absolutisht. Këtë gjë e kemi diskutuar gjatë pushimit dimëror. Ai më ka thënë se ka kontratë deri në vitin 2028, ndërsa unë kam kontratë deri në vitin 2027. Por nuk është problem. Edhe nëse nuk do të mund të ecja më, nëse Baseli ma lejon, ne do të luanim bashkë edhe për pesë minuta. Do të isha shumë i lumtur, njësoj si Graniti, i cili më ka thënë se pa dyshim se do të dëshironte të kthehej te Baseli një ditë”, ka vazhduar Taulant Xhaka.

Baseli nuk po i kalon ditët më të mira në elitën e futbollit zviceran. Aktualisht zë vendin e parafundit me 18 pikë në po aq ndeshje të luajtura.

“Është e vështirë të shpjegohet. Kemi pasur ndryshim te trajneri në verë dhe shumë lojtarë të mirë janë larguar. Kjo e pati efektin e vet dhe ka bërë që ne të jemi në fund. Nëse ekipi do të ishte nga fillimi si tani, me Fabio Celestinin trajner, gjërat do të dukeshin ndryshe”.

Trajnerët Timo Schultz e Heiko Vogel nuk arritën që ta këndellnin skuadrën e madhe zvicerane. Por me Celestinin, Baseli ka pasur gjëra pozitive.

“Ai është njeri shumë i mirë dhe mundohet të nxjerrë më të mirën nga ne. Ai secilin në klub e bën të ndihet i rëndësishëm. Me atë, ne ende mund të jemi në gjashtë skuadrat më të mira. Asnjë lojtar nuk mund të pushojë me të, përndryshe largohet”, është shprehur veterani i Baselit.

“Baseli për mua do të thotë gjithçka, sepse jam rritur këtu dhe kam shoqërinë e familjen. Baseli është klubi ku e fillova karrierën. Më ka dhënë çdo gjë dhe dua t’ua kthej klubit dhe tifozëve”.

Taulant Xhaka në të gjithë karrierën ka marrë vetëm katër kartonë të kuq, por vlerësohet si lider agresiv që nuk i kontrollon emocionet.

Të fundit e mori në fitoren 1:0 kundër Luzernit në udhëtim.

Ndërkohë, edhe dy ndeshjet e fundit kundër Zuerichut për Xhakën kanë qenë emocionale. Mori një karton të kuq pasi e qëlloi me kokë Nikola Katiqin.

“Për mua gjithçka ka mbaruar. Futbolli është sport emocional. Pa futbollistë si ai dhe unë, mendoj se futbolli nuk do të ekzistonte. Nuk ka diçka të keqe mes meje e tij. Emocionet janë në fushën e lojës. Unë dua gjithmonë të fitoj, por nuk dua ta lëndoj askënd. Megjithatë, në fushë nuk ka shoqëri”, deklaroi Xhaka.

Taulant Xhaka në edicionin aktual ka zhvilluar 17 ndeshje në të gjitha garat. E ka një gol të shënuar dhe dy asistime.

Artikuj të ngjashëm