Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka hedhur poshtë akuzat se ai zotëron një kompani shqiptare të basteve përmes një pale të tretë. Mediumet italiane të hënën e kanë akuzuar Taren se është në kontrollim të plotë të një kompanie bastesh shqiptare përmes një personi tjetër. Akuzat burojnë nga një artikull i botuar nga “La Repubblica”, me titullin: “Futbolli, klanet dhe biznesi: hijet shqiptare të Tares së Lazios’’.
Me anë të një komunikate, të lëshuar nëpërmjet avokatit të tij, Tare ka mohuar kategorikisht akuzat.
“Thjeshtë është një temë e mbështetur nga gazetari dhe e atribuar prej tij akteve të hetimit, sipas të cilave ‘në fakt, kompania u përket vëllezërve Genti dhe Igli Tare’. Në mënyrë të ngjashme Igli Tare e deklaron veten të papërfshirë në operacionin e përshkruar nga gazetari si një përpjekje e klanit Martiradonna për të blerë këtë kompani bastesh. Për shkak të pavlefshmërisë totale dhe pavërtetësisë së lajmit, Igli Tare kishte paralajmëruar më parë gazetarin Daniele Autieri nëpërmjet emailit në përgjigje të një serie pyetjesh specifike të bëra nga Autieri si gazetar i stafit të gazetës. Igli Tare rezervon të drejtën për të ndërmarrë veprime më të gjera juridike, për të cilat ai tashmë u ka dhënë drejtën avokatëve të tij, duke përfshirë në lidhje me profilet e mëtejshme të paligjshmërisë së objektit të lajmit”, thuhet në komunikatë.
Në raportin e gazetës italiane thuhet se hetimi i bërë nga Prokuroria Publike në Bari, ka nxjerrë një dritë një aleancë midis mafies siciliane, e cila ka investuar në një rrjet të pikave të basteve në Itali dhe jashtë saj, saktësisht Shqipëri. Kompania “Top Bast” ka 400 pikë aktive në Shqipëri dhe është regjistruar zyrtarisht në emër të Erma Bajramit, por që sipas Guardia di Finanzas ishte vëtëm një figurë. Në fakt, urdhri i nënshkruar nga prokurori i Barit thotë se kjo kompani bastesh është e vëllezërve Genti dhe Igli Tare. Genti është konsull shqiptar në Turqi derisa Igli drejtor sportiv te Lazio. Sidoqoftë, hetimi nuk ndalet këtu, dhe gjithashtu analizon blerjen e sulmuesit Vedat Muriqi gjatë verës së shkuar. Sulmuesi i Fenerbahçes u transferua te Lazio për 17.5 milionë euro dhe në këtë transferim morën pjesë katër ndërmjetës.
Përveç agjentit dhe avokatit të futbollistit, marrin pjesë edhe agjenti Shkumbin Qormemeti, i cili ka pak sportistë, por që është shok i Tares, si dhe vëllezërit Gabriele dhe Valerio Giuffrida.