Talenti kosovar Dardan Shabanhaxhaj ka firmosur kontratë të re afatgjate me klubin e Bundesligës së Austrisë në futboll, Sturm Graz.
Sulmuesi 19-vjeçar ka vazhduar kontratën deri në vitin 2023.
Shabanhaxhaj që nga dimri është pjesë e skuadrës së parë të Sturm Grazit, pasi më herët ka luajtur për skuadrën e dytë. Ai madje ishte grumbulluar në skuadrën e parë në xhiron e 19-të të Bundesligës. Te Sturm Grazi e vlerësojnë lartë sulmuesin.
“Dardani në muajt e fundit ka treguar një zhvillim të mirë dhe ka një potencial të madh, të cilin do ta zhvillojmë së bashku me të. Ai mund të aktivizohet në pozita të ndryshme më repartin ofensiv dhe në Regionalliga ka treguar shpejtësinë dhe teknikën e tij”, ka thënë drejtori sportiv i Sturm Grazit, Andreas Schicker, për faqen zyrtare të klubit.
Shabanhaxhaj është shprehur i kënaqur me kontratën e re.
“Vazhdimi i kontratës dëshmon besimin që ka klubi tek unë. Unë dua të jap më të mirën që të depërtojë në skuadrën e parë”, ka thënë Shabanhaxhaj.