Ishte 15 nëntori i vitit 2019 kur Çëndrim Kameraj e luajti ndeshjen e fundit garuese. Ai kompletoi ndeshjen për Kosovën U21, që pësoi 4:0 nga Austria, në kualifikimet për Evropian. Në nivel klubesh ndeshjen e fundit e ka luajtur edhe më herët, më 18 gusht të vitit 2019.
Një kohë Kameraj vlerësohej shumë i talentuar. Aq lart vlerësohej sa ishte pjesë e gjigantit italian të futbollit, Juventusit. Ka ushtruar edhe me superyje si Cristiano Ronaldo.
Por lëndimet e kanë frenuar shumë karrierën e Kamerajt, 22-vjeçarit të lindur në Luzern të Zvicrës. Pas një periudhe shumë të vështirë, Kameraj ditë më parë firmosi me skuadrën e kategorisë së dytë zvicerane, Kriens. Kriensi është thuajse pa gjasa për të mbetur në kategorinë e dytë të Zvicrës, por për kosovarin kjo ka pak rëndësi. Për të është e rëndësishme të ushtrojë e të luajë me rregull. Dhe të kthej karrierën në binarë.
Ai ishte në kërkim të një skuadre që nga vera e vitit të kaluar. Rastin ia ka dhënë Kriensi dhe Kameraj është mirënjohës. E di se pas lëndimeve të rënda është e vështirë të gjesh skuadër.
“Jam shumë i kënaqur që më kanë dhënë shansin të luajë në Kriens. Kriensi është klub i ligës së dytë zvicerane dhe për mua është klub shumë i mirë. Kam qenë gjatë i lënduar dhe tani më kanë rastin të luaj sërish. Jam shumë i gëzuar. Në futboll kur je i lënduar gjatë, nuk të do askush. Nuk luan rol nëse ke qenë te Juventusi apo Real Madridi”, ka thënë Kameraj për KOHËN.
Ai luan kryesisht në krah. Është zhvilluar tek Ebikoni dhe Luzerni, ndërsa në vitin 2017 kaloi te Juventusi. Ishte pjesë e ekipit U19 dhe U23 të Juventusit, ndërsa në janar të vitit 2019 u kthye te Lugano në Zvicër. Nga Lugano u largua verën e kaluar pa luajtur asnjë ndeshje me ekipin e parë.
Për Juventusin U19 i ka luajtur 18 ndeshje dhe ka realizuar dy gola. Për U23 të Juventusit e kishte një ndeshje.
Kameraj ka luajtur për U17, U18 dhe U19 të Zvicrës, nga viti 2015 deri në vitin 2017. Ajo ndeshje e 15 nëntorit të vitit 2019 mbetet e vetmja për Kosovën U21.
“Më 10 janar kam filluar me ushtrime te Kriensi. Fillimi ka qenë shumë i vështirë, që të futem sërish në ritëm. Gjërat po përmirësohen tani dhe besoj se jam gati për të luajtur në kampionat”, ka theksuar Çëndrim Kameraj.
“I kam pasur dy lëndime të rënda në gju. I kam këputur ligamentet. Në nëntor të vitit 2019 kam luajtur së fundi për 90 minuta. Prej atëherë ishte kohë shumë e vështirë për mua, jo vetëm në aspektin fizik por edhe në atë mental. Shumë duhet të jeni pozitiv dhe të mos humbni shpresat që të ktheheni. Tani jam shëndosh dhe mund të luaj sërish 100 për qind”.
Përvoja te Juventusi natyrisht mbetet e veçantë për futbollistin kosovar.
“Në Juventus kam kaluar shumë mirë. E kam ditur se është shumë vështirë për të hyrë në ekipin e parë, pasi Juve i blen të gjithë lojtarët në botë. Konkurrenca në ekip është shumë e madhe. Unë jam shumë i gëzueshëm që kam mundur të luaj te Juventusi dhe të ushtroj me lojtarë si Ronaldo, Pjaniq, Dybala. Kam mësuar shumë prej tyre”, thotë Kameraj.
Një lëvizje për te gjiganti italian do ta bënte sërish.
“Për mua ishte moment i mirë, sërish do ta bëja hapin për të shkuar te Juventusi. Çdo gjë ishte mirë dhe nuk isha pishman për asgjë. Kam ushtruar me ekipin e parë të Juventusit. Nuk munden shumë lojtarë të ushtrojnë me një ekip të madh si Juventusi”.
Plani i Kamerajt është që të luaj sa më shumë që është e mundur për Kriensin. Synon të shënoi gola dhe të bëj asistime. Kjo do t’i ndihmonte për ngritje në karrierë.
“Dua të kthehem atje ku isha para lëndimeve. Jam i sigurt se nëse jam shëndosh do të kthehem në nivelin ku isha. Kam folur me trajnerin dhe pas tri ditësh më ka thënë se do të mbetem në ekip dhe se nuk më lë të largohem. Jam shumë i lumtur që jam në Kriens. Synim tjetër e kam që të luaj sërish për Kosovën”, ka thënë Çëndrim Kameraj.