Drita e Gjilanit është skuadra e vetme e Superligës që shënoi fitore në xhiron e parë të edicionit të ri 2021/2022. Fitoren 2:1 në fundjavë ndaj Feronikelit, Dritës ia siguroi sulmuesi Ardit Tahiri. Shkëlqimi që pati te Drita në ndeshjen e parë të Superligës, Tahirit iu shpërblye me ftesë nga Përfaqësuesja U-21 e Kosovës për ndeshjen kundër Anglisë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2023. Ftesën e marrë nga përzgjedhësi i Shpresave të Kosovës, gjermani Michael Nees, Tahiri synon ta shfrytëzojë për të rënë në sy të ndonjë klubi evropian.
“Ndihem krenar që më ka ardhur ftesa ta përfaqësoj vendin tim. Na pret një ndeshje e fortë kundër Anglisë. Ndaj Anglisë është një mundësi shumë e mirë ta tregoj veten. Si çdo lojtar edhe unë kam synim që në të ardhmen të luaj në Evropë”, ka thënë Tahiri të enjten për KOHËN.
Futbollisti nga Vushtrria pranon se ftesa i erdhi pas paraqitjes së mirë që pati me Dritën në fundjavën e shkuar. Në fakt, ai u inkuadrua nga banka e rezervistëve për ta ndihmuar Dritën ta rikthejë rezultatin, pasi ishte në disavantazh deri në minutat e fundit të ndeshjes.
“Unë gjithmonë e pres ftesën, sepse kam dëshirë të madhe ta ndihmoj Kosovën sa herë që kam mundësi të jem pjesë e saj. Nuk e di a ka ndikuar loja apo paraqitjet e mia të mëparshme”, është shprehur Tahiri.
Tahiri më herët ka luajtur për U-19 të Kosovës, ndërsa në katër ndeshje ka shënuar tri gola. Madje, ka shënuar golin e fitores në turneun e mbajtur në Romë, ku Kosova doli e para. Ai është në mesin e lojtarëve më të rinj që ka shënuar gola në elitën e futbollit kosovar. Qendërsulmuesi shënoi nëntë gola në Superligë edicionin e kaluar me fanellën e Besës. Ekipi nga Peja nuk ia doli që të mbijetojë në elitën e futbollit të Kosovës në sezonin e shkuar dhe sezonin e ri do të garojë në Ligën e Parë – Grupi A.
Hapat e parë në futboll, Tahiri i mori te shkolla e futbollit “Ardhmëria” në Milloshevë, për t’iu bashkuar më pas akademisë së 2 Korrikut, ku ia doli që të luante deri në ekipin e parë, përpara para se të kalonte te Besa vitin e kaluar. Te klubi pejan, Tahiri qëndroi vetëm një vit. Me Dritën ka firmosur për tre vjet, ndërsa synon që me paraqitje të mira ta vazhdojë karrierën në ndonjë klub në Evropë e më pas ta fitojë mundësinë të paraqitet edhe me përfaqësuesen “A” të Kosovës.
“Do të angazhohem maksimalisht gjithmonë. Synimet e mia me Dritën janë që t’i arrijmë objektivat që ka klubi. Po ashtu, edhe të rritem si lojtar. Unë do të jap më të mirën nga vetja që ta ndihmoj ekipin të ketë suksese. Sigurisht, si çdo lojtar, edhe unë ëndërroj që të luaj në ndonjë klub të madh evropian. Mendoj që kam bërë zgjedhjen e duhur me kalimin te Drita, për të kërkuar edhe daljen në Evropë”, u shpreh Tahiri. “Unë kam luajtur te Besa e Pejës, kurse tani kam kaluar te Drita. Meritat më të mëdha për rrugën time deri këtu i kanë familja ime dhe trajnerët me të cilët kam punuar. Sigurisht edhe bashkëlojtarët me të cilët kam luajtur më kanë ndihmuar të shënoja gola dhe të arrija deri këtu ku jam”, ka thënë Tahiri.
Ftesës së Tahirit i janë gëzuar edhe në klubin e Dritës. Kosova grumbullohet për ndeshjen ndaj Anglisë pas katër ditësh në Kosovë, ndërsa më 7 shtator e luan ndeshjen në udhëtim ndaj Anglisë.