Albin Tahiri ka shkruar me mburrje për rezultatin që ka arritur të dielën në disiplinën e sllallomit në Kampionatin Botëror të skijimit alpin. Me garën e skitarëve në sllallom është përmbyllur Botërori që u mbajt në Cortina d’Ampezzo të Italisë.
Skitari bindshëm më i miri i Kosovës, Albin Tahiri, në sllallom u rendit i 32-ti. Garën finale e kompletuan 37 garues. Prapa Tahirit, që jeton në Slloveni, mbetën skitarët nga Libani, Irani, San Marino, Qiproja dhe Timori Lindor.
Tahiri pas dy lëshimeve kishte kohë prej 2:12.47 minutash. Koha e tij ishte për 25.99 sekonda më e ngadaltë se e kampionit. Më lart se Tahiri përfundoi Erjon Tola i Shqipërisë, që u rendit i 29-ti. Ai kishte kohë prej 2:05.16 minutash.
Kampion u shpall norvegjezi Sebastian Foss-Solevag me kohë 1:46.48 minuta. Adrian Pertl i Austrisë doli i dyti me kohë 1:46.69 minuta, ndërsa Henrik Kristoffersen i Norvegjisë ishte i treti me 1:46.94 minuta.
Gara kualifikuese u mbajt të shtunën. Prej saj në garën finale dolën Tahiri, Tola dhe Kevin Qerimi i Shqipërisë. Ndërsa Arbi Pupovci i Kosovës dhe Ezio Leonetti e Vasil Veriga të Shqipërisë nuk mundën të avanconin. Të dielën, në garën finale Qerimi nuk e përfundoi lëshimin e parë.
Albin Tahiri dy ditë më parë u rendit i 37-ti në sllallom të madh. Në sllallom u rendit pesë pozita më lart.
“Sot kam përfunduar në vendin e 32-të në sllallom në Kampionatin Botëror, që është rezultati më i mirë në histori të skitarisë kosovare. Jam shumë krenar dhe do ta vazhdoj këtë rrugëtim sa më gjatë të jetë e mundur”, ka shkruar Tahiri.
Se ky është rezultati më i mirë e ka konfirmuar edhe Federata Skitare e Kosovës.
“Për herë të parë Kosova radhitet e 32-ta në Kampionatin Botëror në skijim. Skitari ynë Albin Tahiri sot në Cortina d’Ampezzo në disiplinën e sllallomit arriti të zërë vendin e 32-të nga 100 garues pjesëmarrës. Federata Skitare e Kosovës i uron Albinit shumë shëndet dhe suksese të mëtutjeshme”, ka shkruar Federata.
Tahiri ka synuar vend në 30-shen më të mirë, por për pak nuk ia doli. Ai për faqen zyrtare të KOK-ut ka thënë se shpreson që ta ketë bërë Kosovën krenare.