Sport

Synimet e mëdha të karateistes Rinesa Osmani

Rinesa Osmani është e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 59 kilogramë, në grupmoshën e junioreve. Por, kjo nuk i mjafton karateistes 17-vjeçare.

Synimet e saj janë edhe më të mëdha. Karateistja e klubit Fushë Kosova synon të bëhet e para në Evropë dhe në botë për të rritura.

“Shpresoj që një ditë ta zë vendin e parë në Evropian dhe në Botëror”, ka thënë karateistja Osmani.

Megjithatë, ajo nuk e fsheh gëzimin për të arriturën e saj.

“Kam pasur besim gjithmonë, prandaj edhe kam arritur në këtë nivel si e para në ranglistën botërore dhe për mua është suksesi më i madh deri tash”, është shprehur Osmani.

Rinesa e mbylli vitin 2022 me medalje të artë. Ajo fitoi të artën në “Youth League” që u mbajt në dhjetor në Itali.

Suksesi më i madh i saj ishte vendi i pestë në Botërorin e të rinjve, në tetor të vitit të kaluar. Në Kampionatin Botëror të karatesë për kadetë, juniorë dhe garuesit e grupmoshës U21, Rinesa i kishte tri fitore e dy humbje.

“Është ndjenjë shumë e mirë, emocionuese dhe krenarie për ty dhe Kosovën për të arritur vendin e parë jashtë shtetit”, ka theksuar Osmani, që nga KOHA u shpall sportistja më e mirë e re e vitit 2022.

Në fakt, Osmani ka pasur ngritje. Në vitin 2021, në garën “Youth League” në Stamboll doli e dyta, ndërsa në Evropian e shtata.

Vitin 2022 e mbylli me rezultate më të mira, ndërsa pret që ky vit të jetë edhe më i suksesshëm.

“Medaljet e mia më të rëndësishme kanë filluar që prej vitit 2021, në Youth League vendi i dytë në Stamboll, pastaj vendi i shtatë në Evropian, pastaj kanë vazhduar në vitin 2022. Kam dalë e pesta Botëror dhe vendi i parë në Youth League në Itali, që ma mundësoi të jem e para në ranglistën botërore”, është shprehur ajo.

Salla ku Rinesa dhe karateistët tjerë të klubit Fushë Kosova ushtronin, ishte e vogël. Por, Osmani thotë se motivi është i madh për të arritur synimet që ka.

“Fillimi për çdo sportist është i vështirë, i njëjtë ka qenë edhe për mua, por nuk jam dorëzuar asnjëherë dhe gjithmonë kam vazhduar dhe kam punuar shumë. Edhe pse në fillim nuk kam pasur sukses, por me kalimin e kohës sukseset i kam arritur dhe jam ndër më të mirat në Kosovë”, ka thënë Rinesa.

Karrierën si karateiste, Osmani e ka nisur si e vogël. Ajo thotë se i mungonte mbështetja, si nga familjarët ashtu edhe nga shoqet dhe shokët e klasës.

“Karateja është e ashpër dhe për atë më kanë thënë edhe në familje, shkollë që nuk është për mua, por unë kam vazhduar duke mos u dorëzuar asnjëherë”, thotë ajo.

Këmbëngulësia e saj ka bërë që të vazhdoj të merret me sportin e karatesë. Dhe, ka bërë mirë që ka insistuar. Këtë e thotë trajneri i saj, Isak Curri.

“Rinesa ka pasur dhe ka potencial. Këtë e dëshmoi edhe në Botërorin ku ajo zuri vendin e pestë po ashtu edhe ne Youth League. Por ajo që ka rëndësi është se ka dalë e para në ranglistë, pozitë që na ka munguar si klub deri më tani. Rinesa ka arritur në këtë nivel me punë maksimale. Unë kam besim se Rinesa do të vazhdojë tutje duke dëshmuar vlera”, ka thënë Curri.

Curri nuk jep shumë premtime për këtë vit. Por, ai parashikon se viti 2024 do të jetë i sukseseve nga Rinesa.

“Nëse punojmë ashtu siç kam planifikuar me planprogram, besoj se vitin 2024 do të jetë në formë të lartë dhe do t’i fitojë të gjitha medaljet kudo që do të marrë pjesë. Ajo sivjet do të kalojë edhe në kategorinë e seniorëve. Si seniore do ta ketë pak vështirë, por viti 2024 besoj se do të jetë viti i saj”.

Karateja në vitet e fundit ka shënuar përparim sa u përket rezultateve në garat ndërkombëtare. Medaljet nuk kanë munguar nga ngjarjet e mëdha, duke përfshirë Evropianët dhe Botërorët.