Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Svitolina arrin triumfin më të madh të karrierës

Elina Svitolina ka treguar një paraqitje të shkëlqyeshme të tenisit defensiv, duke regjistruar fitoren më të madhe të karrierës. Ajo ka arritur të rikthehet dhe të triumfojë 2:1 në sete (3:6, 6:2 dhe 6:2) ndaj amerikanes Sloane Stephens në finalen e turneut përfundimtar të vitit, WTA Finals të dielën.

Ukrainasja arriti në WTA Finals në Singapor në formë jo të mirë, mirëpo arriti të gjejë formën atëherë kur u desh. Fitoi të gjitha meçet, përfshirë edhe tri meçet në grupe.

“Është një moment shumë i veçantë për mua në karrierën time dhe do të më jap shumë vetëbesim për stinorin e ardhshëm. Jam shumë e lumtur me performancën time”, ka thënë Svitolina, ndërsa mori trofeun nga legjenda Billie Jean King.

Stephens nisi furishëm përballjen dhe i fitoi tri gemet e para të meçit. Ajo e mbylli setin e parë në favor të saj, 6:3, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Mirëpo, Svitolina arriti të kundërpërgjigjej në dy setet vijuese, ndërsa kthente gati çdo gjuajtje që bënte Stephens. Ajo tregoi një lojë impresive defensive.

“Jam shumë e lumtur që kam qenë në gjendje të mbyll stinorin në mënyrën si e kam mbyllur. Nuk ishte rezultati që kam dashur, por kam punuar fort për të arritur deri këtu. Jam krenare me lojën time dhe jam e lumtur me paraqitjen që kam bërë gjatë javës”, ka thënë Stephens.

Triumfi i Svitolinas ishte i 13-ti në 15 finale në turne gjatë karrierës. Ky triumf do t'i japë motiv asaj që në vitin 2019 më në fund të fitojë edhe një turne Grand Slam. Ukrainasja 24-vjeçare ende nuk ka fituar Grand Slam. Më së shumti ka arritur deri në çerekfinale.