Sulmuesi Jonathan David përfundimisht do të largohet nga skuadra e Lillet. Largimin e kanadezit e ka pranuar edhe trajneri Paulo Fonseca, kanë shkruar mediumet franceze të martën. Interesimi është i madh për Davidin, i cili është njëri prej sulmuesve më të mirë në kampionatin e Francës.
“Do të jetë vështirë ta mbajmë Davidin në klub pas interesimit të madh nga klubet e tjera. Ai është një sulmues unik dhe sigurisht se e kuptojmë dëshirën e tij për të vazhduar karrierën diku tjetër”, ka thënë Fonseca.
Kartoni i 22-vjeçarit që ka shënuar 10 gola këtë sezon për Lillen, vlerësohet mbi 40 milionë euro.
Ai iu bashkua Lillet vitin e shkuar nga Genti dhe ka kontratë deri në vitin 2025. David ishte pjesë e Kanadasë në Kupën e Botës “Katari 2022”, turne në të cilin u eliminua në fazën e grupeve.