Aty ishin të gjithë, të ulur pranë njëri tjetrit me uniformat e tyre të stërvitjes, të gjithë të buzëqeshur. Lionel Messi po pinte një pije në njërin skaj, Luis Suarez ishte afër tij, pastaj ishin edhe Sergio Busquets e Jordi Alba në skajin tjetër. Kjo nuk ishte Barcelona e vitit 2014, por ishte Inter Miami, të dielën.
Tashmë, është zyrtare: Messi, Busquets, Alba dhe Suarez janë sërish bashkë, këtë herë në Major Soccer League. Stërvitja e parë parasezonale për Inter Miamin u hap zyrtarisht të dielën, me Suarezin që u pa me uniformën e tij të re pasi firmosi kontratë njëvjeçare muajin e shkuar për t’iu bashkuar treshes së ish-shokëve të tij te Barcelona që iu bashkuan ekipit amerikan verën e shkuar.
“Të vish të ndihmosh një ekip që ka lojtarë që të gjithë i njohin dhe atë në një klub të ri, i cili kërkon të fitojmë trofe dhe atë me profesionalizëm është nder i madh për mua. Pra, kjo është ajo që kërkohet nga unë”, tha Suarez.
Suarez dhe Messi kaluan gjashtë edicione së bashku në Barcelonë, duke fituar katër tituj të La Ligas dhe nëntë trofe të tjerë – përfshirë një trofe të Ligës së Kampionëve. Suarez po i bashkohet Miamit pas një viti ku ai ishte sulmuesi më i mirë në ligën braziliane me Gremion. Ai së shpejti mbush 37 vjeç dhe brenda disa javësh dhe po hyn në sezonin e tij të 19-të profesional. Ardhja në MLS, megjithatë, nuk tingëllon si pensionim i Suarezit. Ai e bëri shumë të qartë se është tek Inter Miami për të fituar. Skuadra do të përpiqet të mbrojë trofeun e saj të Kupës së Ligës këtë sezon, plus do ta ndjek titullin e kampionit të MLS-së, së bashku me Kupën e Kampionëve (CONCACAF) dhe Kupën e SHBA-së.
“Këshilla më e mirë për t'u dhënë lojtarëve është të ëndërrojnë dhe të kenë synime të mëdha”, tha Suarez. “Pse të mos ëndërrojmë të fitojmë katër trofetë? Kjo varet nga ne dhe duhet ta demonstrojmë në fushë me punë, përkushtim, sakrificë”.
Suarez insistoi se nuk ishte vetëm Messi, ai që e bindi të zhvendoset në SHBA, por edhe David Beckham, legjenda e futbollit që është pjesë e grupit të pronësisë të Inter Miamit. Karriera e Suarezit ka qenë e mbushur me suksese, por edhe disa momente shumë të diskutueshme. Me Suarezin, Uruguai i dha fund pritjes 20-vjeçare për t’u kualifikuar në Botëror, duke arritur në gjysmëfinale në vitin 2010. Ai ndihmoi Uruguain ta fitoj Kupën e Amerikës pas 16 vjetësh në vitin 2011. Ai ishte i rëndësishëm në titullin e parë spanjoll të Atletico Madrid në shtatë vjet në vitin 2021. Suarez është gjithashtu i njohur për pritjen e qëllimshme të topit me dorë në çerekfinalen e Botërorit 2010 kundër Ganës, si dhe vuajti pezullimet në tri raste për kafshimin e kundërshtarëve.
“Suarez do të jetë një armë shtesë për ekipin tonë. Ai ka punuar mirë në stërvitjen e parë dhe sigurisht që presim shumë prej tij në edicionin e ri”, ka thënë trajneri i Inter Miamit, Tata Martino.