Sport

STEP-i pretendon se notarët e tij janë diskriminuar, FNK-ja mohon

Klubi prishtinas i notit STEP po pretendon se Federata e Notit e Kosovës (FNK) nuk ka vepruar në mënyrë korrekte kur i ka përzgjedhur notarët për ta përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Botëror që ka nisur të enjten në Abu Dhabi.

Për të shfaqu pakënaqësitë, klubi STEP ka mbajtur një konferencë për shtyp të enjten. Ndryshe thonë në FNK, ku kanë insistuar se kanë vepruar sipas rregulloreve dhe askujt nuk i kanë bërë asnjë padrejtësi. Sipas klubit prishtinas, notarët e përzgjedhur nga FNK-ja nuk e kanë merituar të udhëtojnë në Abu Dhabi përpara Mal Gashit, Eda Zeqirit dhe Era Budimës që janë anëtarë të STEP-it.

Kosovën në Botëror po e përfaqësojnë katër notarë: Erina Idrizaj, Fjorda Shabani, Martin Muja e Alush Telaku.

Te enjten, në ditën e parë të Botërorit, në gara janë paraqitur Alush Telaku dhe Erina Idrizaj. Telaku përfundoi i 39-ti prej 42 pjesëmarrësve në disiplinën 200 metra delfin, ndërsa Idrizaj, që garoi në 100 metra shpinë, doli e 41-ta prej 48 garueseve.

Kryetari i klubit STEP, Agron Zeqiri, ka thënë se notarët me rezultatet më të mira nuk po e përfaqësojnë Kosovën në Abu Dhabi. Ai ka treguar se është ankuar edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) dhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit (MKRS). Por nuk ka marrë ende përgjigje.

“Ekipit të Kosovës që po na përfaqëson në Kampionatin Botëror i dëshiroj suksese, por sportistët më të mirë aktualisht në sportin e notit nuk i kemi atje, por këtu në Kosovë. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë dhe kemi dërguar ankesë në KOK e në MKRS, por nuk kemi marrë ende një përgjigje të qartë. Ndaj këtyre sportistëve është shprehur një hakmarrje dhe ndëshkim. Në ankesën tonë na janë bashkëngjitur edhe tetë klube të tjera anëtare të Federatës dhe po presim përgjigje për shkak se Federata në këtë rast i ka tejkaluar kompetencat e saj”, ka thënë Zeqiri.

Trajneri Besart Shala ka thënë se notarët e klubit STEP janë dëmtuar për shkak se në vend të tyre janë përzgjedhur garues me rezultate dukshëm më të dobëta.

“Duke folur për Botërorin e Abu Dhabit, mund të them se tre notues të klubit STEP janë dëmtuar dhe në vend të tyre kanë shkuar sportistë të tjerë që kanë rezultatet më të dobëta. Mal Gashi ka arritur rezultat historik në 1500 metra krol, ku ka tubuar 730 pikë FINA, që është rekord absolut i Kosovës. Pas këtij rezultati kam menduar se Federata do të reflektojë, por nuk doli ashtu. Në fund e kam kuptuar se as Mali, as Eda Zeqiri e Era Budima nuk janë pjesë e Kosovës”, ka thënë Gashi. “Eda ka qenë olimpiste e Kosovës që i ka realizuar dhe arritur të gjitha garat kualifikuese me mbështetje të familjes, që do të thotë se shteti i Kosovës nuk ka bërë asnjë investim për t’i realizuar rezultatet që e kanë dërguar në Tokio. Budima është e dëmtuara e tretë dhe ky diskriminim po na dëmton shumë, por nuk do të na thyejë pasi kemi qëllimet tona”.

Sipas tij, FNK-ja ka mungesë transparence në procedura dhe se gjithë periudhën kualifikuese e ka shkurtuar në një ditë. Ai madje pretendon se organizimi i kampionatit të Kosovës ka qenë i trukuar.

“Nuk kanë figuruar garat në të cilat Mal Gashi i ka rezultatet më të mira në 1500 dhe 800 metra stil të lirë. Ata kanë bërë gara në distanca të mesme dhe të shkurtra”, ka shtuar Gashi.

Notarja Eda Zeqiri ka kërkuar përgjigje nga Federata që nuk është përzgjedhur për Kampionatin Botëror, ndërsa notari Gashi ka thënë se askush nuk mund t’ia mohojë pikët që i ka arritur më shumë mund dhe sakrificë.

Eda Zeqiri në fakt në Lojërat e Tokios mori pjesë me ftesë, njëjtë si një notar tjetër.

“Kam qene përfaqësuese e Kosovës në Lojërat Olimpike, por jo edhe në Botërorin e Abu Dhabit. Rezultatet nuk na kanë munguar pasi kemi arritur rezultate të mjaftueshme për të marrë pjesë në Botëror. Asnjë sportist që e përfaqëson Kosovën në Abu Dhani nuk i ka as 600 pikë. Unë i kam arritur kriteret por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për Federatën tonë dhe për këtë kërkoj përgjigje”, ka thënë Eda Zeqiri, duke shtuar se ka 690 pikë në 400 metra stil të lirë dhe 624 pikë FINA në 100 metra shpinë.

Trajneri Enver Hajredini ka thënë se nëse nuk intervenon KOK-u dhe MKRS-ja në ato që ai i ka quajtur padrejtësi ndaj notarëve nga Federata, atëherë nuk e di nga kush do të marrë përgjigje. Ai ka thënë se i vjen shumë keq që notarët e klubit STEP nuk kanë marrë pjesë në Kampionatin Botëror.

“Këta me arritjen e pikëve ishin më të mirët, kurse në Abu Dhabi kanë shkuar ata që nuk i kanë as nga 600 pikë”, tha ai.

Kryetari i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti, i ka mohuar të gjitha akuzat që janë bërë në konferencën e STEP-it. Ai ka thënë se mospjesëmarrja në garat që i organizon Federata, sidomos në kampionatin e Kosovës në pishina të shkurtra, i ka lënë këta notarë jashtë Botërorit. Haliti ka shtuar se të gjithë kanë qenë të njoftuar me kohë që më të mirët nga kampionati do ta përfaqësonin Kosovën në Abu Dhabi.

“Ka vendosur mospjesëmarrja në garat që i organizon Federata, dhe e fundit, mospjesëmarrja në kampionatin e Kosovës në pishina të shkurtra, që ka qenë edhe garë kualifikuese për Kampionatin Botëror, pasi nuk kemi norma dhe gara ku janë pjesëmarrës të gjithë sportistët. Ne e kemi dërguar me kohë njoftimin dhe programin”, është shprehur Haliti që është me ekipin në Botëror. “Edhe në mbledhjen para fillimit të kampionatit është shtjelluar kjo çështje, ku sportistët që dalin më të mirët nga kampionati i Kosovës në pishina të shkurta do ta përfaqësojnë Kosovën në Kampionati Botëror. Nëse dikush më thotë se kemi marrë pjesë në garat kualifikuese të pranuara nga FINA, mund t’i gjejnë cilat janë ato dhe ka një normë të arritur e Federata e ka anashkaluar, atëherë marrë përgjegjësi të plotë. Më vjen keq për sportistët, por ata veten e kanë lënë pa pjesëmarrje”, ka shtuar i pari i notit kosovar.

Ka kohë që anëtarët e STEP-it, e sidomos drejtuesit e tij, janë në konflikt me Federatën e Notit të Kosovës. Ndërkohë, rezultatet e notarëve janë larg prej atyre që sigurojnë normë olimpike.