Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Stadiumi i Feronikelit me probleme të mëdha pronësore

Stadiumi i Feronikelit “Rexhep Rexhepi” në Drenas, është në mesin e arenave të futbollit që nuk i plotësojnë kushtet që kërkohen për t’u luajtur një ndeshje futbolli e nivelit ndërkombëtar.

Përveç fushës, që deri diku është në gjendje të kënaqshme për futbollin e Kosovës, gjërat e tjera janë në nivelin më të ulët të mundshëm dhe nuk i plotësojnë kushtet që kërkohen.

Por, përveç mungesës së kushteve një problem i madh është se toka ku është ndërtuar stadiumi, është në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si dhe një pjesë është pronë private.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar për Sportin në KTV se 300 mijë eurot e parapara të investohen këtë vit janë bllokuar derisa të rregullohen problemet e shfaqura.

Lladrovci, që beson fuqishëm se Feronikeli do të dalë në fund kampion, është i vendosur që pa e shpronësuar pronën të mos ketë investime të reja.

Edhe Premtohen 12 milionë euro për stadiumin në Prizren Futboll Premtohen 12 milionë euro për stadiumin në Prizren

Ai tregoi edhe për një problem tjetër, i cili duhet të ndryshohet shumë shpejt.

Deri më tani, vetëm tribuna kryesore është e ndërtuar dhe së fundmi ka filluar të mbulohet, kurse pjesa lindore dhe jugore e tribunave, pritet që në një të ardhme të afërt të ndërtohen.

Gjendjen aspak të mirë në stadiumin e “Niklit” e ka pohuar edhe kryetari i klubit të Feronikelit, Ekrem Elshani, i cili thotë se kanë qenë në dijeni si klub që toka është në pronësi të AKP-së, por sipas tij, ekziston një memorandum ndërmjet Komunës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ai u shpreh se shumë shpejt do të nisë faza e dytë e punimeve, e cila, sipas tij, është vonuar nga Komuna e Drenasit.

Edhe MKRS-ja premton 4.5 milionë euro për stadiumin e Drenasit Futboll MKRS-ja premton 4.5 milionë euro për stadiumin e Drenasit

Deri më tani, në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, janë investuar rreth 1 milion euro.

Ndërkaq, në bazë të një memorandumi të nënshkruar nga Ministria e Sportit dhe Komuna e Drenasit më 28 tetor 2016, shuma totale e investimeve që do të ndodhë në “Rexhep Rexhepi” brenda tri vjetëve kap shifrën e 1 milion 900 mijë eurove. 1 e 600 mijë nga Ministria e Sportit, kurse 300 mijë investime të Komunës së Drenasit.