Sport

Stadiumi i Besës në Pejë, në gjendje të mjerueshme

Besa e ka siguruar rikthimin në Superligën e Kosovës në futboll pas dy vjetësh në Ligën e Parë, por gjendja e stadiumit “Shahin Haxhiislami” në Pejë, ku i luan ndeshjet ekipi pejan, nuk ofron kushte për t’u luajtur ndeshjet e elitës së futbollit kosovar. Tribuna në pjesën perëndimore ka përfunduar më herët dhe është bërë edhe pranimi teknik, por në të nuk ka ulëse, kurse në brendësi zhveshtoret nuk u ngjajnë aspak dhomave ku ndërrohen futbollistët.

Të reshurat e shiut dhe koha e ftohtë gjatë dimrit kanë bërë që zhveshtoret të mbulohen nga myku, kurse edhe dhoma e improvizuar e trofeve lë për të dëshiruar, pasi muri është shumë i dëmtuar nga lagështia. Në fakt, zhveshtoret në këtë tribunë janë improvizuar, pasi nuk kanë qenë të planifikuara, por me rrënimin e tribunës kryesore pejanët nuk kanë pasur mundësi tjetër. Që nga viti 2017 ka nisur të ndërtohet edhe tribuna kryesore e stadiumit, e cila nuk po e gjen fundin tash e 36 muaj. Vlera e projektit është 687 mijë e 308 euro.

Gjatë punimeve ka pasur probleme dhe zvarritje, të cilat kanë ndikuar që punët të mos kryhen me kohë. Në tenderin fitues për koncersiumin kanë qenë dy kompani, “Conex Group” dhe “TIC Prishtina”. “Conex Group” i ka ndërprerë punimet dhe për këtë Komuna e Pejës i ka dërguar vërejtjet, duke kërkuar ndërprerjen e kontratës. Megjithatë, më pas ka pasur një takim në mes Komunës dhe kompanisë së dytë “TIC Prishtina”, e cila ka marrë për obligim që t’i kryejë punimet. Përgjegjësi për sport në Komunën e Pejës, Valdet Shoshi, tregon për problemet që janë shfaqur e ku i kanë dërguar vërejtjet për ndërprerjen e kontratës me “Conex Groupin”. Sipas tij, punimet nuk kanë shkuar sipas planit që ishte paraparë, pasi kompanitë fituese të tenderit kanë pasur probleme t’i kryejnë punët.