Sport

Besa në gjendje të rëndë, rrezikon të mos paraqitet në Ligën e Dytë

Besa e Pejës - që është klubi i dytë më i suksesshëm në Kosovë pas Prishtinës - rrezikon të mos i zhvilloi fare garat në edicionin 2022/2023.

Edicionin e kaluar Besa nuk ia doli që të mbetet pjesë e Ligës së Parë, Grupi A, dhe në kampionatin e ri duhet të bëjë gara në Ligën e Dytë të Kosovës në futboll, që është kategoria e tretë. Në këtë rang garash Besa nuk ka qenë asnjëherë që nga pavarësimi i futbollit kosovar në vitin 1991.

KOHA merr vesh se gjendja e rëndë në klub ka bërë që të mendohet largimi nga Liga e Dytë ende pa nisur kampionati.

Pothuajse të gjithë lojtarët e ekipit të parë janë larguar. Skuadra nuk ka nisur fare përgatitjet për edicionin e ri. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë.

KOHA ka provuar të flasë me pronarin e klubi, Ylli Kullashi, por ai nuk ka qenë i qasshëm gjatë së martës.

Ish-trajneri i Besës, Valdet Shoshi, i cili e kishte drejtuar ekipin pejan drejt titullit në vitin 2005, konfirmon gjendje jo të mirë.

“Gjendja është shumë e vështirë. Nuk ka qenë asnjëherë në këtë gjendje Besa. Është e pakuptimtë dhe po flitet që nuk do t’i vazhdojë fare garat. Ka qenë në duart e kuvendarëve të klubit, të cilët kanë votuar për ta privatizuar klubin. Ylli Kullashi është pronari i Besës, pra ai e ka marrë klubin. Gjithë Kosova është gëzuar kur është privatizuar, por tani gjendja është shumë e rëndë”, ka theksuar Shoshi.

Shoshi, që është edhe shef i sektorit të sportit në Komunën e Pejës, thotë se Komuna i ka ndihmuar Besës me gjëra teknike. Sipas tij komuna nuk mund t’u ndihmojë ndryshe klubeve private.

“Komuna e ka mbështetur teknikisht, pasi dihet se si funksionon klubi privat. Komuna është e gatshme të japë kontributin e saj, është edhe vullneti i kryetarit dhe të gjithëve që të gjejmë donatorë për klubin. Ne e kemi ndihmuar me derivate, me transport, pastaj ka kërkuar fusha dhe ia kemi bërë”, tha Shoshi.

Ai shtoi se deri me tani askush nga klubi nuk ka shkuar në Komunë për të kërkuar rrugëdalje.

“Deri më tani, askush nuk ka ardhur të flasë në Komunë. Kur ka qenë edhe në situata më të këqija financiare klubi, nuk ka qenë në këtë gjendje. Për këtë gjendje janë të shqetësuar të gjithë. E kemi luajtur ndeshjen mes veteranëve ku kishte shumë që janë në diaspora dhe të gjithë e shprehen brengën për gjendjen e tillë”, nënvizoi Shoshi.

Besa e ka fituar tri herë titullin e kampionit (2005, 2006 dhe 2007) dhe po aq herë kupën e Kosovës. E ka fituar edhe një herë Superkupën.

Derisa klubet e tjera pejane janë prej më të mirave në vend, klubi i futbollit, që ishte simbol, po e prek fundin.