Projekti i Besës ishte ambicioz. Dy vjet më parë u premtua një “Besë evropiane”. Por njëri ndër klubet më të suksesshme në vend është larg synimeve. Shumë larg madje. Nuk bëhet fjalë për klub evropian. Sfida momentale e klubit që dikur ishte krenari e Pejës, është mbetja në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.
Besa është pranë rënies nga Liga e Parë. Është në vendin e fundit në Grupin A me vetëm 25 pikë. Deri në fund kanë mbetur edhe tri xhiro.
Për gjendjen në të cilën ka ardhur klubi ka akuza të rënda nga ish-futbollistë të gjeneratës së artë të Besës. Gjendjen e vështirë nuk e mohojnë as zyrtarë të klubit e të Komunës së Pejës.
Drejtori sportiv, Dritëro Daci, i vë faj menaxhmentit të kaluar.
“Kemi paguar borxh të trashëguar të vitit 2015. I kemi paguar të gjitha. Sponsorët na kanë lënë rrugës, vetëm dy sponsorë kanë mbetur. Kjo situatë është rrjedhojë e keqmenaxhimit të mëparshëm. Kemi trashëguar obligime të mëdha. Rreth gjysmë milioni euro kemi shlyer borxhe. 170 mijë euro kanë qenë vetëm tatime të shtetit. Ka qenë një neglizhencë. Nga Komuna nuk kemi marrë asnjë cent. Përveçqë nuk i kemi luajtur ndeshjet në stadiumin e qytetit, edhe atje ku po i luajmë ndeshjet e ku kemi investuar për mirëmbajtje na kanë sjellë të gjitha shkollat e futbollit të qytetit”, ka thënë Daci të hënën për KOHËN.
Daci ka lënë të kuptohet se nuk shqetësohen nëse bien nga Liga e Parë.
“E kemi qëllim që të mbetemi disi në Ligën e Parë. Në të njëjtën kohë kemi për qëllim të nxjerrim talente. Jam i bindur se tre lojtarë do të dalin jashtë vendit”.
Ai krenohet që brenda dy vjetësh prejse menaxhimin e ka marrë Ylli Kullashi, klubi është konsoliduar. “Kemi paguar të gjitha pagat”, thotë Daci.
Por, më ndryshe thonë emrat e mëdhenj të klubit pejan. Akuzojnë se kryesia aktuale e Besës po punon për interesa personale. Ka mendime të ndryshime në fakt. Ilir Nallbani me ironi thotë se klubi duhet të shuhet.
“Na kemi kontribuuar në kohë të vështirë dhe në kohë të mirë. Ia dimë vlerat klubit si qytetar dhe si sportist. Kur e sheh gjendjen është për keqardhje. Kam bërë apel te Komuna që Besën të mos e lërë në këtë gjendje por ta shuajnë, sepse kush po takohet me Besën po e fiton. Nuk është Besa emër që duhet ta mposhtin të gjithë. Le të shuhet e pastaj ta nisë nga fillimi me një organizim të mirë. Nuk po ka identitet kjo Besë. Shumë ekipe kanë pasur ëndërr të luajnë kundër Besës, ndërsa sot ia japin 5 gola”, ka thënë Nallbani.
Ai me Besën ka fituar të gjithë trofetë që mund të fitohen në futbollin e Kosovës. Besa ka fituar tre tituj rresht (2004/05, 2005/06 dhe 2006/07). Ka fituar edhe tri Kupa në atë periudhë të artë.
Pjesë e këtyre sukseseve ishte edhe trajneri aktual, Fisnik Papuqi. Edhe atij i vjen keq për situatën në të cilën është Besa. Por sa u përket rezultateve thotë se i merr përsipër.
“Është situatë e vështirë, por gjithë përgjegjësinë për rezultatet e marr përsipër. Kemi kaluar në vështirësi të ndryshme, pasi ka pasur shumë probleme, por rezultatet e verës na kanë lënë pas. Po mbajmë shpresa që do të mbijetojmë. Janë edhe nëntë pikë në lojë. Ne jemi të lidhur me klubin dhe nuk po mund ta përballoj këtë situatë. Po mundohemi me gjitha mundësitë për ta lënë Besën në ligë”, ka thënë Papuqi. Ai në stafin e trajnerëve i ka edhe Fetim Kasapin dhe Valmir Bytyqin, dy emra të tjerë të mëdhenj të futbollit pejan.
Edhe ikona Haxhi Zeka thotë se ka tentuar ta shtrijë dorën e ndihmës në klub. Ai thotë se faj ka edhe politika për gjendjen në të cilën është Besa.
“Kur ka një organizim të tillë, jo vetëm Besa por edhe Prishtina meriton një pozitë të tillë. Më vjen vështirë të flas për atë klub. Të gjithë e dimë ku ka qenë dhe në çfarë gjendjeje është tani. Politika e ka sjellë Besën në këtë gjendje, sepse investitorët e rinj i solli politika. Jam distancuar nga ky klub, kam shkuar dy herë i kam parë dhe aty nuk kishte se çka të shihet. Për ne është vdekje rënia nga Liga e Parë”, ka thënë Zeka, që është drejtor i stadiumit të qytetit të Pejës.
I shqetësuar është edhe Dukagjin Gashi, tjetër emër i madh i fushës së blertë.
“Të vetmit ne si gjeneratë kemi arritur të bëhemi kampion tre vjet rresht. Më dhemb kur e shoh klubin në këtë situatë, por ishalla do Zoti e shpëton nga rënia klubi me të cilin kam histori dhe suksesin më të madh të karrierës”, ka thënë Gashi.
Besa nuk i luan ndeshjet në stadiumin e qytetit ku ka nisur rinovimi vite më parë, por që punët janë lënë në gjysmë. Besa stërvitjet dhe ndeshjet i zhvillon në fushën me bar sintetik në Brestovik.
Besa e Pejës në vitin 2021 nga marrëveshjet e sponsorimit i ka përfituar 225 mijë euro. Jo pak për një klub të kategorisë së dytë.
Valdet Shoshi thotë se Komuna e Pejës e ka shtrirë dorën e ndihmës. Shoshi është shef i sportit në Komunë të Pejës. Më herët ka qenë trajner i klubit.
“Komuna e Pejës e ka ndihmuar Besën me të gjitha kapacitetet e saj. Por mendoj që llogari më të madhe për gjendjen duhet të kërkojnë kuvendarët që janë pajtuar të privatizohet klubi”, ka thënë Shoshi. Ai thotë se klubit i ka mbetur 4000 euro borxh.
Rivalin më të madh për të shmangur rënien nga kategoria e dytë, Besa e ka Trepçën e Mitrovicës, një tjetër klub me nam.