Fituesja e dymbëdhjetë medaljeve olimpike, notarja Natalie Coughlin, e dinte që ajo “nuk kishte personalitet” për t’u bërë trajnere, kur karriera e saj konkurruese përfundimisht mori fund. Edhe pse karriera e saj ende nuk ka përfunduar zyrtarisht - Coughlin garoi së fundmi në vjeshtën e kaluar - përqendrimi i saj është zhvendosur në zona jashtë pishinës.
Midis tyre, amësia (vajza e saj Zennie lindi në vitin 2018) dhe artet e kuzhinës - veçanërisht, biznesi i verës, shkruan “Yahoo!Sports”. Ajo u dashurua në ushqimin derisa udhëtonte për të garuar dhe ishte gjithmonë një adhuruese e verës, kështu që kur shoqja e saj që prodhonte verë për 15 vjet i propozoi për fillimin e një etikete, përgjigjja e Coughlin ishte një “PO” e menjëhershme.
“Ideja e zotërimit të verës sime vetjake ka qenë, por kurrë nuk mendoja se do të ndodhte në të vërtetë”, thotë Coughlin, që bashkëthemeloi “Gaderian Wines” në vitin 2016 dhe botoi një libër gatimi vitin e shkuar.
37-vjeçarja kryesisht merret me anën e markës dhe marrëdhëniet me klientët, kurse partnerja e saj e biznesit është me përvojë në këtë profesion. Coughlin është pjesë e një liste në rritje të sportisteve që bëhet më e dukshme se kurrë – futja në biznes, qoftë kjo përmes pronësisë, autorësisë ose investimeve.
“Më mungojnë kaq shumë gjëra në not. Por, edhe futja në biznes është një përvojë kaq e mrekullueshme”, pranoi Coughlin. “Pra, është e rëndësishme të kesh një hobi pas përfundimit të karrierës. Kështu që unë tash kam një plan përtej pishinës”.
Sipas profesorit të financave të “UC Berkeley”, Stephen Etter, që dy dekadat e fundit po mëson atletët profesionistë se si të veprojnë me paratë e tyre, Coughlin është pjesë e një brezi në rritje të atletëve që vijnë përmes programeve të drejtuara nga trajnerë të fortë që ndikuan në jetën e tyre jashtë garave.
“Kohët e fundit po rritet numri i sportisteve që po futen në biznes dhe kjo është një gjë shumë e mirë, pasi ato po i investojnë paratë e tyre me mençuri. Unë punoj me sportistët, por më shumë përqendrohem te femrat, pasi është e nevojshme që ato të kenë ndonjë biznes që të merren pas përfundimit të karrierës”, shtoi profesori Etter.
Njëra prej sportisteve që tashmë ka lënë karrierën dhe i është përkushtuar totalisht biznesit, është tenistja ruse Maria Sharapova. Sharapova muaj më parë u tërhoq nga tenisi, por edhe sa ishte lojtare aktive ajo ishte shumë e përkushtuar pas bizneseve të saj që nuk i takonin botës sportive.