Ishte një fitore në Kupën e Botës e përshtatshme për një mbret. Mbreti Felipe VI ishte në mesin e atyre që uruan Spanjën në Katar pas fitores 7:0 ndaj Kosta-Rikës, në ndeshjen e parë të Botërorit, të mërkurën.
“La Roja” e ktheu lojën e famshme “tiki-taka” dhe pati një paraqitje dominuese me posedim të topit dhe sulm tejet efikas. E ky ishte një start perfekt i Spanjës në përpjekjen e saj për ta fituar titullin e dytë të botës. Fitorja historike rriti pritshmëritë e Spanjës për të pasur sukses në Katar dhe për të fituar trofeun më të lakmuar të futbollit për herë të parë që nga viti 2010, kur Xavi e Andres Iniesta ishin liderët e stilit me posedim të topit, që mahniti botën e futbollit.
“Vazhdoni të këndoni”, u tha Mbreti Felipe VI lojtarëve teksa hynte në zhveshtoren e Spanjës në stadiumin “Al Thumama”, pas ndeshjes. “Ne e kemi shijuar, si të gjithë të tjerët. Më shumë se rezultatin, ishte kënaqësi t’iu shikoja duke luajtur”.
Spanja udhëhiqet nga disa lojtarë të rinj që i kanë shtuar disa elemente stilit “tiki-taka”. Gavi dhe Pedri, së bashku me një grup të rinjsh të tjerë të talentuar që po bëjnë debutimin e tyre në Kupën e Botës, po ofrojnë shpejtësi dhe energji me pasimet e shpejta të vazhdueshme dhe po e kontrollojnë topin.
“Ideja është që të gjithë lojtarët në mesfushë të kenë sa më shumë prekje dhe prej këtij stili edhe vjen në shprehje cilësia e lojtarëve tanë në fushë”, tha trajneri i Spanjës, Luis Enrique.
Edhe
Spanja ka çdo gjë që duhet për të vazhduar dominimin
Spanja arriti një rekord prej 1003 pasimesh të kompletuara për një lojë 90-minutëshe dhe përfundoi me 75% të posedimit të topit. Kishte 17 tentime për gol.
“Qëllimi ynë është të kontrollojmë lojën vazhdimisht dhe për ta bërë këtë iu duhet të keni topin”, tha Luis Enrique. “Rivali frustrohet dhe lufton për të gjetur hapësirë. Ishim të jashtëzakonshëm me mënyrën se si bënim presion.”
18-vjeçari Gavi dhe 19-vjeçari Pedri kontrolluan ritmin e ndeshjes së bashku me veteranin Sergio Busquets, i vetmi anëtar i mbetur i skuadrës fituese të Kupës së Botës 2010. Në sulm, 22-vjeçari Ferran Torres, së bashku me Dani Olmon dhe Marco Asension, punuan në mënyrë agresive për të rifituar shpejt topin.
“Ishte një ndeshje në të cilën ne dolëm fuqishëm dhe kërkuam fitore prej minutë së parë”, tha Gavi, i cili u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes dhe shënoi në minutën e 74-të për t'u bërë golashënuesi më i ri i Kupës së Botës që nga Pele në vitin 1958.
“Ai është një lojtar unik”, tha Enrique për Gavin. “Ai është 18 vjeç, por ka personalitetin e një lojtari me përvojë. Jemi shumë të lumtur që e kemi. Mendoj se ai do të jetë një nga yjet e futbollit botëror”.
Edhe
Ferran Torres kalon dyshimet dhe bëhet hero i Spanjës
Spanja, e cila nuk kishte fituar ndeshjen e parë të Kupës së Botës që nga viti 2006, kishte ende Xavin dhe Iniestan kur fitoi titullin e fundit të madh, në Kampionatin Evropian 2012. Tani do t'u mbetet lojtarëve si Pedri dhe Gavi që të bëjnë që “tiki-taka” e re të lulëzojë dhe të udhëheqin Spanjën në kërkimin për trofeun e Kupës së Botës. Deri këtu gjërat janë mirë, pasi edhe Mbretit i bën përshtypje.
“Është bukur të bësh një fillim si ky”, u tha Mbreti Felipe VI lojtarëve përpara se të largohej nga zhveshtorja me një fanellë të Gavit me autografet e të gjithë lojtarëve të Spanjës.