Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Statistika të veçanta të kampionëve të botës

Rodri

Spanja ka dominuar ndaj Argjentinës për ta fituar titullin e kampionit të botës në futboll.

Ndonëse finalja përfundoi 1:0, ajo është dominuar plotësisht nga futbollistët spanjollë. Për Spanjën është titulli i dytë i botës. Të parin e fitoi në vitin 2010. Argjentina ishte kampione për katër vjet, por dorëzoi “kurorën” të dielën mbrëma.

FIFA ka përzgjedhur disa prej statistikave më të veçanta të futbollistëve të Spanjës.

790 - Në mënyrë marramendëse, Rodri i kompletoi plot 790 pasime në këtë Botëror. Ai theu rekordin personal për më së shumti pasime nga një lojtar në një edicion të Kupës së Botës. Rodri, që u shpall lojtari më i mirë, i kishte 638 pasime të suksesshme në Katari 2022. Para tij rekordin e kishte Xavi nga Afrika e Jugut 2010 me 599 pasime.

Në Botërorin që përfundoi të dielën, Pau Cubarsi ishte i dyti për pasime të kompletuara me 668, kurse Aymeric Laporte i treti me 618. Bëhet fjalë për dy mbrojtësit e qendrës të Spanjës.

Edhe Spanja feston triumfin në Kupën e Botës Botërori 2026 5 o. më parë Spanja feston triumfin në Kupën e Botës

750 - Mbrojtësit e Spanjës, Marc Cucurella dhe Pau Cubarsi luajtën 750 minuta në këtë Botëror. Është rekord sa u takon lojtarëve, pa përfshirë portierët. Kaq minuta i kishte edhe Alexis Mac Allister i Argjentinës.

58 - Mikel Oyarzabal ka shtyrë kundërshtarët të bëjnë 58 gabime, përkatësisht ta humbin topin. Llogaritet topi i humbur kur bënë presion kundërshtari. Në këtë statistikë, Pedri dhe Neil El Aynaoui i Marokut ndajnë vendin e dytë me nga 51 “detyrime” të kundërshtarit për ta humbur topin.

38 - Spanja është në seri prej 38 ndeshjeve pa humbje. Është rekord i ri. Së fundi kishte humbur nga Kolumbia në mars 2024. “La Roja” prej atëherë i ka 29 fitore dhe nëntë barazime. Italia kishte serinë më të gjatë pa humbje deri më tani. Nuk ishte mposhtur në 37 ndeshje nga viti 2018 e deri në vitin 2021.

35 - Lamine Yamal kishte më së shumti driblime të suksesshme në Botëror – 35. Kylian Mbappe është i dyti me 28, kurse Lionel Messi i treti me 25. Rekordin e mban Maradona me 53 driblime të suksesshme në Botërorin 1986.
Me 19 vjet e gjashtë ditë, Yamali është lojtari i katërt më i ri që fiton Kupën e Botës. Vetëm 18-vjeçari italian Giuseppe Bergomi dhe 17-vjeçarët brazilianë, Pele dhe Ronaldo ishin më të rinj kur triumfuan në skenën më të madhe.
Me 19 vjet e 178 ditë, Pau Cubarsi është i shtati në listë.

14, 7... - Spanja i ka shënuar 14 gola. Ka shënuar dy gola më shumë se në vitin 1986 dhe plot gjashtë gola më shumë se në vitin 2010, kur e fitoi titullin e parë.
Spanja siguroi titullin me shtatë fitore rresht. Vetëm Brazili ka seri më të gjatë fitoresh në Botëror, 11, në vitet 2002 e 2026.

Unai Simon nuk është mposhtur në shtatë prej tetë ndeshjeve të Botërorit. Është shifra më e lartë e ndeshjeve pa pësuar gol nga një portier në Botëror. Me 650 minuta pa pësuar gol, Simon e mban edhe rekordin e Botërorëve. Ai u mposht vetëm nga Charles De Ketelaere i Belgjikës në çerekfinale. Rekordin më parë e mbante Walter Zenga i Italisë me 517 minuta.

Mikel Oyarzabal i shënoi pesë gola në Botëror, duke barazuar rekordin spanjoll. Emilio Butragueno i kishte po ashtu pesë në vitin 1986, sa edhe David Villa në vitin 2010.

Edhe Spanja – kontroll, qetësi, kampione Botërori 2026 8 o. më parë Spanja – kontroll, qetësi, kampione

Ferran Torres është bërë vetëm zëvendësuesi i dytë që ka shënuar golin e fitores në finale të Botërorit. Mario Gotze i Gjermanisë e bëri këtë në vitin 2014. 

Spanja e pësoi vetëm një gol, që është shifra më e vogël e një kampanje që përfundoi me titull të botës. Franca në vitin 1998, Italia në vitin 2002 dhe Spanja në vitin 2010, kishin pësuar nga dy gola.