Pak do të argumentonin me faktin se Luis Enrique është një trajner me karakter. Ish-trajneri i Barcelonës, Celta Vigos dhe Romës e tregoi atë karakter si lojtar dhe ka vazhduar ta tregojë që kur e nisi zejen e trajnerit në edicionin 2008/09. Është një shenjë dalluese e shumë prej vendimeve që ka marrë gjatë kohës së tij si trajner i Spanjës. Del në pah veçanërisht në atë që ndoshta ka qenë tipari përcaktues i mandatit të tij deri më tani.
Në përzgjedhjen e skuadrave të tij, Enrique ka treguar një vendosmëri për t'iu dhënë mundësi dhe përgjegjësi lojtarëve të rinj dhe premtues të vendit, pavarësisht nga mosha dhe përvoja e tyre e mëparshme. Besimi që ai ka treguar në lojtarët e rinj është plotësisht i justifikuar. Gjenerata e re e Spanjës e ka pranuar sfidën dhe ka treguar, ndeshje pas ndeshjeje, se e meriton të jetë në arenën ndërkombëtare. Paraqitjet e lojtarëve të rinj kanë qenë vendimtare në vitin 2021, një vit në të cilin Spanja arriti në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian, përfundoi nënkampione në Ligën e Kombeve të UEFA-s dhe u kualifikua për kampionatin botëror “Katari 2022”. Pikërisht turneu i vitit të ardhshëm që do të mbahet pas 11 muajsh do të jetë sfida e radhës e madhe për Spanjën.
“Nuk është rrezik i madh që Spanja të tregojë besim te lojtarët e saj të rinj”, tha Yeremy Pino, një nga “armët e reja” të Luis Enriques. “Ata po luajnë shumë mirë në ligat më të mëdha të Evropës. Dhe ata po e bëjnë këtë falë punës së palodhshme. Statistikat më së miri e dëshmojnë këtë. Kur grumbullohen te Spanja ata përballen me sfidën që e tejkalojnë me sukses. Kjo është arsyeja pse ata thirren sërish”.
Besimi i fituar
Pino, i cili mbushi 19 vjet në tetor dhe vjen nga Ishujt Kanarie, është bërë një nga lojtarët kryesorë te ekipi i Villarrealit dhe është një nga shembujt më të mirë se si personazhi i Luis Enriques po i jep formë kësaj skuadre të re spanjolle. Pasi la mbresa për klubin e tij, Pino bëri debutimin te Spanja U21 në muajin mars dhe më pas u fut me shpejtësi në ekipin A në tetor.
Pino debutoi në një ndeshje të madhe, atë kundër Italisë në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve. Përzgjedhja e tij ishte një deklaratë e qartë e qëllimit të Luis Enriques, i cili u emërua në krye të Spanjës pas botërorit “Rusia 2018”. Ardhja e trajnerit Enrique përkoi me largimin e lojtarëve si Gerard Pique, Andres Iniesta dhe David Silva, të cilët luajtën një rol thelbësor në epokën e artë të Spanjës, 2008-2012, e cila dha një Kupë Bote dhe dy tituj të Evropës.
Me largimin e disa anëtarëve të gardës së vjetër, Luis Enrique ishte i vendosur të ulte moshën mesatare të Spanjës. Kjo moshë mesatare ishte 28 vjet në Rusi dhe ka vazhduar të bjerë pasi numri i lojtarëve të rinj te Spanja është rritur vazhdimisht. Derisa Sergio Busquets, Koke dhe Jordi Alba mbeten pjesë e formacionit, lojtarë si Pedri dhe Ferran Torres, 19 dhe 21 vjeç, kanë marrë përgjegjësinë për të udhëhequr ekipin. Ata nuk janë vetëm. 17-vjeçari Gavi bëri debutimin duke filluar atë ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Italisë. Ashtu si disa të tjerë, Gavi ka shfaqur një pjekuri përtej viteve të tij, ndërsa Pino ka prodhuar të njëjtën formë shkëlqyese që e tregon për klubin.
Zhvillimi gradual
“Luis Enrique më kërkoi të dilja në fushë dhe të bëja atë që bëj zakonisht, të luaja me besim, të përballesha me sfidat dhe të bëja më të mirën”, tha lojtari i Villarrealit, Pino, në lidhje me debutimin e tij në Ligën e Kombeve.
Pino e di mirë se çfarë pret shefi i Përfaqësueses së Spanjës nga ai dhe shokët e tij të sapoardhur në ekip: “Ai dëshiron që ne të luajmë me dhunti, të tregojmë karakter në raste të mëdha, në ndeshjet e mëdha dhe në finale. Ne po e marrim gradualisht përvojën dhe kjo është e rëndësishme”.
Mbi të gjithë spikat një lojtar - Ansu Fati. Edhe pse 2021-ta nuk ka qenë ndoshta një vit për t'u mbajtur mend për 18-vjeçarin e Barcelonës, Fati duket i destinuar të jetë një nga lojtarët kryesorë të Spanjës në Botërorin “Katari 2022”. Kështu thotë Pino, i cili me Villarrealin e ka fituar trofeun e Ligës së Evropës edicionin e shkuar.
“Disa prej lojtarëve të rinj tashmë i fitojnë ndeshjet. E them këtë për Ansu Fatin, Ferran Torresin dhe Pedrin”, insistoi Pino. “Ata janë zgjedhjet e para të padiskutueshme nëpër klubet e tyre dhe me të vërtetë kanë treguar se sa shumë vlejnë edhe te Spanja”.
Shembujt e rinj
2021-ta ka qenë një vit përparimtar për Torresin. Ende vetëm 21-vjeçar, e ka dëshmuar aftësinë për të shënuar gola në skenën ndërkombëtare dhe është model për të ardhurit e rinj. E njëjta gjë mund të thuhet për Eric Garcian dhe Brian Gil - të dy 20 vjeçar - dhe një grup lojtarësh ndërkombëtar tashmë me përvojë që kanë mbushur 24 vjet këtë vit: Unai Simon, Mikel Oyarzabal, Carlos Soler dhe Pau Torres. Një vit më i ri është Dani Olmo, që ka qenë gjithashtu aty prej disa kohësh.
“Kam mësuar prej tyre që nuk duhet të dorëzohesh”, tha Pino, duke reflektuar mbi rëndësinë e hyrjes në ekipin A te Spanjës, lojtarët e të cilit vendosin një standard të lartë. “I shikon ata dhe janë vetëm 18 ose 20 vjeç. Ata janë të rinj dhe nuk kanë shumë përvojë, por përballen me lojtarë të klasit botëror sikur të ishte gjëja më normale. Falë tyre unë ndihem shumë me i relaksuar te Spanja pasi ata më tregojnë se edhe unë mund të jem një lojtar i rëndësishëm dhe më motivojnë. Thjesht kur luani përkrah tyre jeni shumë më të sigurt në fushë”.
Të gjithë kanë të njëjtin synim: të vazhdojnë të shpaguajnë besimin e Luis Enriques në vitin 2022 dhe t'i japin atij një nivel të lartë loje kur Kupa e Botës të fillojë në Katar nëntorin e ardhshëm.
“Do të ishte çmenduri të luaja në këtë turne”, tha Pino, duke shprehur shpresat e të gjithë bashkëlojtarëve të tij të rinj. “Mbaj mend që e shikoja Spanjën në vitin 2010 kur isha vetëm shtatë vjeç. Unë qava kur fituam. Goli i Iniestas ishte i mrekullueshëm për të gjithë vendin, dhe unë dua të ndihem i tillë. Pra, do të ishte e pabesueshme të luaja dhe të fitoja një turne të madh për Spanjën”.
Pino nuk është i vetmi anëtar i këtij brezi të Spanjës që e mendon këtë. Të gjithë e dinë se trajneri Enrique i përkrah dhe nëse tregojnë paraqitje të mira nëpër klubit e tyre do t'u jepet mundësia të bëjnë të njëjtën gjë për vendin e tyre. Personazhi i Luis Enriques është një garanci për këtë.
Statistikat
2012 - Viti që Spanja fitoi për herë të fundit një trofe dhe për herë të fundit avancoi përtej çerekfinaleve të Kupës së Botës ose Evropianit, përpara se të arrinte në gjysmëfinale në “Euro 2020” në verën e këtij viti.
28 - Numri i lojtarëve që kanë fituar ndeshjet e tyre të para me Spanjën nën drejtimin e Luis Enrique. Midis tyre janë Torres, Fati, Pedri, Simon, Pino, Soler, Gil dhe Gavi, të cilët pritet të jenë të rëndësishëm për Spanjën në vitet në vijim.
25.2 - Mosha mesatare e skuadrës së Spanjës në Ligën e Kombeve të UEFA-s të këtij viti, pothuajse tre vjet më e re se skuadra që u shfaq në Botërorin e vitit 2018 të mbajtur në Rusi.
17 vjet e 62 ditë - Mosha e Gavit kur bëri debutimin ndërkombëtar, një rekord ky në Spanjë. Fati bëri debutimin e tij te Spanja në moshën 17 vjet e 308 ditë.
12 – Numri i golave që Torres ka shënuar për vendin e tij në vetëm 22 paraqitje, gjashtë prej tyre në nëntë ndeshjet e fundit. Viti 2021 e ka parë atë të dalë si golashënuesi kryesor i Spanjës.