Sport

Spalletti e sheh Rrahmanin si lider të Napolit

Trajneri i Napolit, Luciano Spalletti, ka vlerësuar lart kapitenin e Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, në start të edicionit në Serie A. Madje trajneri italian e ka quajtur Rrahmanin lider të ekipit të tij, sidomos pas largimit të lojtarëve si Kalidou Koulibaly, Lorenzo Insigne e Driens Mertens gjatë kësaj vere.

Napoli të hënën e ka nisur edicionin me fitore ndaj Veronës 5:2, ndërsa Rrahmani ishte njëri prej më të vlerësuarve në fushë. E Spalletti pret që Rrahmani të vazhdojë me paraqitje të tilla përgjatë tërë edicionit, pasi tashmë konsiderohet si lider i ekipit, së bashku me kapitenin Giovanni di Lorenzo dhe kamerunasin Andre-Frank Zambo Anguissa.

“Kur bëhen kaq ndryshime drastike në ekip, atëherë duhet pak kohë për liderët e tjerë që të rriten. Mirëpo, ne tashmë kemi liderët si Rrahmani, Di Lorenzo e Anguissa”, ka thënë Spalleti të mërkurën për DAZN.

Spalletti është ndarë i kënaqur me startin e ekipit të tij këtë edicion, ku ka pranuar se synimet janë të mëdha. Megjithatë, ka shtuar se është një rrugëtim i gjatë deri në fund të sezonit dhe nuk do të jetë aspak lehtë të luftohet për trofe për shkak të konkurrencës së fortë.

“Po flasim për një qytet futbolli shumë të rëndësishëm dhe ambicioz, tifozët duan të fitojnë. Por, për të fituar ndeshjen bëhet e vështirë. Ne kemi një ekip profesionistësh seriozë, të cilët janë djem që meritojnë të veshin këtë fanellë”, është shprehur Spalletti.

Sikurse Spalletti, edhe Rrahmani ka thënë se triumfi në udhëtim te Verona është një fillim i mbarë i sezonit për Napolin. Qendërmbrojtësi kosovar shpreson që Napoli të vazhdojë me këtë ritëm deri në fund të sezonit, pasi dëshira ekziston për të fituar trofe.

“Ishte një ndeshje e mirë ndaj Veronas, sikur një luftë, ndeshje që kanë dëshirë tifozët t’i shohim. Ne po luajmë mirë dhe këtë e treguam në start. Shpresoj të vazhdojmë kështu deri në fund të sezonit”, është shprehur Rrahmani.

Rrahmani është pjesë e Napolit prej sezonit 2020/21, kur iu bashkua nga Verona për 14 milionë euro. Fillimi i vështirë për Rrahmanin, që arriti të stabilizohej në fund të sezonit dhe ta konfirmojë veten si titullar të padiskutueshëm për edicionin 2021/22. Në edicionin e parë me fanellën e Napolit, Rrahmani pati 20 paraqitje dhe një gol të shënuar në të gjitha garat. Ndërsa në të dytin shënoi katër gola në 33 paraqitje në Seria, ndërsa në total pati 41 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.

28-vjeçari është ndër mbrojtësit më të vlerësuar në kampionatin italian dhe ka kontratë me Napolin deri në vitin 2024, të cilën pritet ta rinovojë së shpejti edhe për dy vjet të tjerë.