Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Spadafora: Ende nuk kemi një qëndrim për vazhdimin e stinorit

Ministri i sportit i Italisë, Vincenzo Spadafora, ka thënë se shpreson që të jepet drita e gjelbër për rifillimin e ndeshjeve në Serie A, por sipas tij është e pamundur të caktohet një datë aktualisht.

Klubet profesioniste në Itali janë lejuar të fillojnë stërvitjet individuale këtë javë.

Mirëpo, politikanët janë duke refuzuar të marrin ndonjë vendim se kur do të jetë e mundur rifillimi i ndeshjeve në Serie A.

“Federata e Futbollit të Italisë ka propozuar një protokoll, të cilin komiteti tekniko-shkencor do ta shqyrtojë nesër. Ne shpresojmë që të mund të japim dritën e gjelbër, edhe pse futbolli është një sport ku është i pamundur kontakti dhe përdorimi i masave mbrojtëse nuk është i paraparë. Në ditët e fundit edhe grupet e organizuara të tifozëve kanë kundërshtuar idenë e rifillimit të stinorit. Unë po i referohem Evropës, ku datat e vetme të sigurta janë dhënë nga shtetet që të mos e vazhdojnë këtë stinor. Edhe në Angli, që dukej më gati, është shtyrë vendimi për rifillimin e stërvitjeve ekipore. Unë po e tregoj qëndrimin tim, që është edhe ai i qeverisë: ne shpresojmë që stinori të rifillojë së shpejti, por për tash është e pamundur të caktohet një datë. Ne duhet të shohim se si do të rrjedhin gjërat në dy javët e ardhshme”, ka thënë Spadafora, njofton agjencia ANSA.

Artikuj të ngjashëm