Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Southgate kërkon nga lojtarët e tij që mos t’i frikësohen suksesit në “Euro 2020”

Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, u ka thënë lojtarëve të tij se nuk duhet të kenë frikë që të shprehin ambicien e tyre për të triumfuar në “Euro 2020”. Southgate ka shprehur synimet e mëdha derisa po bëhet gati për ta publikuar listën finale për Evropianin që nis më 11 qershor.

Southgate gjatë ditës së martë pritet ta bëjë publike listën prej 26 lojtarëve, në të cilët llogarit për Kampionatin Evropian. Anglia, e cila arriti në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, u kurorëzua kampione e botës në vitin 1966, kur e organizoi këtë ngjarje. Mirëpo bilanci nëpër evropiane është shumë i zbehtë dhe Southgate pret shpërthimin e futbollistëve të tij. Ekipi i përzgjedhësit Southgate takohet me Kroacinë, Skocinë dhe Çekinë në ndeshjet e fazës së grupeve, që do të mbahen pothuajse në të gjithë Evropën.

Grupi D, pjesë e të cilit është Anglia, do të luhet në stadiumin “Wembley” në Londër. Gjithashtu në këtë stadium janë të parapara të zhvillohen edhe ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja. Southgate ka pranuar se pas publikimit të listës do të rritet presioni tek ekipi i tij, por ka shtuar se tashmë ka folur me futbollistët për këtë çështje.

“Unë thashë përpara Kupës së Botës që u mbajt në Rusi se ne donim që vendi ynë të ndihej krenar me ekipin tonë, dhe mendoj se ia dolëm mbanë pasi përfunduam në pozitën e tretë. Jo vetëm që kemi arritur rezultate, por edhe jemi lidhur më shumë me tifozët. Kështu që në Evropian duhet të marrim rezultate të mira për të mbajtur këtë lidhje. Pra synimi është që vendi ynë të ndihet krenar edhe në Evropian”, tha Southgate. “Jemi të etur për të pasur sukses dhe besoj në ekipin tim. Nuk kam frikë të them se duam të fitojmë në Evropian. Edhe lojtarëve u kam thënë që mos të kenë frikë nga suksesi, por ta synojnë atë”.

Sipas tij, Përfaqësuesja e Anglisë ka të drejtë të ëndërrojë dhe për këtë arsye Southgate ka zbuluar synimet e tij përpara publikimit të listës.

“Ne duhet t'i lejojmë të gjithë të ëndërrojnë, ne duam të ëndërrojmë vetë. Por ne duhet të sigurohemi që nuk do të fitojmë vetëm sepse luajmë në shtëpi, por sepse jemi një ekip atraktiv dhe emocionues. Do t’i kompletojmë të gjitha pjesët si duhet dhe triumfi do të jetë synimi ynë”, tha Southgate.

Edhe Anglezët largojnë presionin, janë gati për gjysmëfinale Euro 2024 Anglezët largojnë presionin, janë gati për gjysmëfinale

Bilanci i përgjithshëm i Anglisë në Kampionatin Evropian është i dobët - ka arritur vetëm një herë në mesin e katër ekipeve finale. Në “Euro 2016” të mbajtur në Francë, Anglia e Roy Hodgsonit pësoi një disfatë të turpshme nga Islanda për t’u eliminuar në 1/8 e finales.

“Ne kemi qenë vetëm në një gjysmëfinale evropiane, kështu që kemi mundësinë ta korrigjojmë këtë rekord negativ. Kemi rastin të jemi të parët dhe kjo është një sfidë që duhet ta përqafojmë”, tha ai.