Përzgjedhësi i Sllovakisë në basketboll, Zhan Tabak, ka vlerësuar lart ekipin e Kosovës, me të cilin do të përballet në dy ndeshje miqësore gjatë kësaj jave, e që do të shërbejnë si përgatitje para dueleve të fazës së tretë parakualifikuese për "Eurobasket 2021".
Kroati Tabak të mërkurën për mediumet sllovake ka thënë se miqësoret me Kosovën do ta ndihmojnë ekipin e tij që të jetë sa më i përgatitur për duelet që e presin me Qipron dhe Rumaninë në kuadër të Grupit F të fazës së tretë parakualifikuese, shkruan sot Koha Ditore.
Sllovakia do të luajë dy ndeshje me Kosovën në shtëpi, të cilat do të zhvillohen brenda 24 orëve (20 e 21 korrik). Këto ndeshje do të zhvillohen në palestrën "Eurovia Arena" të Bratisllavës. Tabak ka thënë se Kosova do të jetë kundërshtare dukshëm më e fortë sesa Irlanda, të cilën Sllovakia e mposhti bindshëm në dy miqësoret e zhvilluara gjatë javës së shkuar (105:66, 97:65).
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)