Sport

Skitarët kërkojnë lëvizje të orarit shkaku i ndryshimit të klimës

Skitari

Fituesit e Kupës së Botës, Mikaela Shiffrin, Federica Brignone dhe Aleksander Aamodt Kilde janë në mesin e rreth 200 skitarëve nga disiplina të shumta që kanë nënshkruar një letër drejtuar Federatës Ndërkombëtare të Skijimit dhe Snowboardit, duke kërkuar veprim mbi ndryshimin e klimës.

Letra u dërgua gjatë kampionatit botëror të skijimit, pasi moti i ngrohtë dhe mungesa e borës “fshinë” gati një muaj garash në fillim të këtij sezoni. Stërvitjet parasezonale u zhvilluan në akullnaja të shkrira evropiane, që po shkojnë drejt zhdukjes. Ndryshimet klimatike në orar janë të mëdha, duke përfshirë edhe planet për muajin janar.

“Është koha për të trajtuar një temë vërtet të rëndësishme”, tha Kilde, i cili së fundmi fitoi medaljen e argjendtë në lëshim.

“Ne shohim se bota po ndryshon. Ne shohim gjithashtu ndikimin e sportit tonë. Unë dua që brezat e ardhshëm të përjetojnë dimrin dhe të jenë në gjendje të bëjnë atë që bëj unë”.

Letra u shkrua nga skitari austriak Julian Schutter, një ambasador i organizatës jofitimprurëse “Protect Our Winters”, e njohur me shkurtesën POW.

“Tashmë po përjetojmë efektet e ndryshimeve klimatike në jetën tonë të përditshme dhe në profesionin tonë”, thanë skitarët në letër. “Ne kemi nevojë për veprim progresiv organizativ. Ne jemi të vetëdijshëm për përpjekjet aktuale për qëndrueshmëri të FIS-it dhe i vlerësojmë ato si të pamjaftueshme”.

Kampionia olimpike e disiplinës “cross-country”, Jessie Diggins, dhe kampionët e turneut botëror të Freeride, Arianna Tricomi e Xavier de le Rue, ishin gjithashtu në mesin e nënshkruesve të letrës.

“Kjo është gara jonë më e rëndësishme, le ta fitojmë së bashku”, thanë skitarët.

Për sa i përket skijimit alpin, skitarët i kërkuan Federatës, e njohur si FIS, të zhvendoste fillimin e sezonit nga fundi i tetorit në fund të nëntorit dhe fundin e sezonit nga mesi i marsit në fund të prillit.

“Stinët kanë ndryshuar dhe në interes të të gjithëve ne kemi nevojë për t'u përshtatur me ato rrethana të reja”, thanë skitarët në letër.

Garuesit kërkuan gjithashtu një orar garash më “gjeografikisht të arsyeshëm” për të reduktuar emetimet e karbonit, duke përmendur se si “karvani” i meshkujve do të ketë udhëtuar nga Evropa në Amerikën e Veriut edhe dy herë brenda një sezoni.

“Garat e Beaver Creek në nëntor dhe ato në Aspen në shkurt janë 50 kilometra larg njëra-tjetrës”, thanë skiatarët, duke iu referuar dy vendpushimeve të Kolorados. “Planifikimi i këtyre dy garave njëra pas tjetrës do të reduktonte afërsisht 1500 tonë (emetim të karbonit)”.

Skitarët gjithashtu kërkuan nga FIS-i të krijojë një departament të qëndrueshmërisë. Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga FIS-i.