Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Situata e pavolitshme e klubeve kur yjet kërkojnë largimin

Bayern Munich nuk është prej klubeve që futet shpesh në krizë. Por gjiganti i Bundesligës është në prag të një krize momentalisht, pasi Robert Lewandowski shtypi butonin e “vetëshkatërrimit”, në përpjekje për të shtyrë para një lëvizje të tij.

Kapiteni i Polonisë është prej sulmuesve më të vlerësuar në botën e futbollit, ndonëse tani është 33-vjeçar. Ai ka vendosur se është momenti i duhur për një përvojë të re. Lewa është i përkushtuar t’i japë fund qëndrimit tetëvjeçar te Bayerni. Ai nuk ka bërë tërheqje që kur tregoi se është i pakënaqur me qëndrimin e klubit pas raportimeve për një kalim te Barcelona.

Lewandowski ka thënë se “diçka brenda tij kishte vdekur” dhe se udhëtimi i tij me klubin kishte mbaruar. Ishte një lëvizje e guximshme kjo, ndërsa komentet që bëri nuk janë pranuar mirë nga drejtuesit e klubit, mediat dhe tifozët e Bayernit.

Bayerni, megjithatë, nuk është klubi i parë që gjendet në situatën kur lojtari kryesor del kundër dhe shtyn para përpjekjen për largim. Kur një top-lojtar dëshiron të largohet, klubi gjendet në situatë shumë të vështirë. Klubi duhet të vendosë nëse do ta shesë lojtarin dhe do të fitojë para, por në të njëjtën kohë do të mbetet pa lojtarin që e bën dallimin. Apo, do ta dërgojë në ekipin rezervë për të dëshmuar se ka një qëndrim të prerë.

“Sportsmail” ka paraqitur disa prej momenteve të tensionuara kur një yll i madh futbolli ka dalë kundër klubit në tentim për t’u larguar.

Edhe Lewandowski po e shpreh zemërimin edhe në stërvitje Sport Lewandowski po e shpreh zemërimin edhe në stërvitje

Lionel Messi – Barcelona

Ishte një lidhje që kemi menduar se nuk do të prishej asnjëherë. Lionel Messi dhe Barcelona. Por të gjitha gjërat e mira kanë një fund. Megjithatë, pakkush mund të ketë imagjinuar se lidhja Messi – Barça do të mbaronte ashtu si mbaroi, me argjentinasin që paraqiti kërkesën për largim përmes faksit.

Messi për një kohë e mbante i vetëm skuadrën, por pas poshtërimit, 8:2 nga Bayerni në vitin 2020 në Champions, gjërat ndryshuan. Ishte momenti i kthesës së madhe. Skuadra ishte në rënie të lirë. Shkarkoi Ernesto Valverden dhe nuk shkoi më lart me Quique Setienin.

Kështu Messi bëri një hap jo të zakontë kur shfrytëzoi një faks për ta informuar presidentin e atëhershëm, Josep Bartomeu, se do të largohej nga skuadra në fund të edicionit si lojtar i lirë.

Kishte një klauzolë në kontratën e Messit që ia mundësonte largimin më herët, ndonëse kontrata ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2021.

Babai dhe agjenti i Messit fluturuan për në Barcelona për bisedime të vështira me drejtuesit e Barcelonës. Pasoi një betejë e tensionuar ligjore. Klubi ishte i bindur se lojtari kishte humbur në qershor një afat për të aktivizuar klauzolën. Klubi insistonte se çdo klub që dëshiron Messin duhet ta blejë atë. Klauzola e tij e lirimit ishte 700 milionë funte.

Messi u detyrua të qëndronte, por e bëri të qartë antipatinë për drejtuesit e klubit, sidomos presidentin Bartomeu. Raporti me të ishte prishur në mënyrë dramatike.

Messi ishte i pakënaqur edhe me drejtorin e klubit, Eric Abidal, që kishte kritikuar lojtarët për paraqitjet në fushë. Pasi u pajtua të qëndrojë edhe një vit, Messi dha një intervistë shpërthyese ku tregoi se çka ndodhi në prapaskenë.

“Kur njoftova gruan dhe fëmijët me dëshirën që të largohem, ishte një dramë e ashpër”, kishte thënë Messi në një intervistë për “Goal”.

“E tërë familja filloi të qajë. Fëmijët nuk kanë dashur të largohen nga Barcelona dhe të ndryshojnë shkollat. Unë kam shikuar më larg dhe unë dua të garoj në nivel të lartë. Dua të fitoj trofe, të garoj në Ligën e Kampionëve. Mund të fitosh e të humbësh në të, pasi është garë e vështirë. Por duhet të garosh. Të paktën të garojmë dhe të mos biem në Romë, Liverpool, Lisbonë. E gjitha kjo më shtyu të mendoja vendimin që dëshiroja ta merrja”.

Messi ishte i bindur se do të lihej i lirë për t’u larguar. Presidenti, sipas tij, i kishte thënë se në fund të atij edicioni do të mund të vendoste nëse do të qëndronte apo do të largohej.

“Faksi u nis për ta bërë zyrtare kërkesën në një mënyrë. Gjatë tërë vitit i kisha thënë presidentit se doja të largohesha, se ishte koha për sfida të reja dhe drejtime të reja në karrierë. Vazhdimisht më ka thënë: ‘Do të flasim, këtë e atë’. Por asgjë. Asnjëherë nuk më ka sqaruar situatën. Dërgimi i faksit po e bënte zyrtare që doja të shkoja dhe se isha i lirë. Kisha edhe një vit opsional që nuk do ta shfrytëzoja pasi dëshiroja të largohesha”.

Messi luajti një edicion të fundit me angazhim maksimal. Shënoi 38 gola para se të kompletonte një kalim te PSG-ja, si lojtar i lirë.

Wayne Rooney – Manchester United

Si kërkesa e Messit për Barcelonën, kërkesa e Wayne Rooneyt për transferim e tronditi plotësisht Manchester Unitedin në tetor të vitit 2010. Ishte pak pasi Rooney kompletoi edicionin më të mirë në karrierë me 27 gola të shënuar dhe u shpreh i lumtur për situatën e tij në klub.

Sir Alex Ferguson pranoi se mbeti i shtangur, sidomos pasi asnjë klub i veçantë nuk ishte në opsion për të nënshkruar me sulmuesin. Kishte spekulime që ishte një trik i Rooneyt për të detyruar Unitedin t’i ofronte kontratë më fitimprurëse.

“Ne ishim shumë të hutuar. Nuk kishim ide se pse ai dëshironte të largohej”, kishte thënë Ferguson. “Mbeta i shtangur. Vetëm disa muaj më parë ai thoshte se po luante në klubin më të madh në botë”.

Duke folur për vendimin e tij, Rooney tha: “Ne kishim shitur Tevezin, pastaj edhe Ronaldon. Kështu që unë mbeta lojtari i vetëm i profilit të lartë. Shkova në zyrën e Alex Fergusonit dhe i thashë: Cili është plani? Për momentin ne kemi sjellë dy lojtarë anglezë që nuk janë të dëshmuar. Më kujtohet që përgjigjja e Fergusonit ishte: Dil nga zyra ime”.

Unitedi po i ofronte Rooneyt kontratë pesëvjeçare me pagë prej 200 mijë funtesh në javë. Ishin shumë para për atë kohë dhe Rooney e dinte këtë.

“Por unë doja sukses në fushë, sepse kjo do të thoshte më shumë për mua”, ka treguar Rooney.

Rooney përfundimisht u tërhoq nga kërkesa pasi u bind se “Manchester Unitedi është klubi ku bëj pjesë”. Por dëmi që la në zhveshtore la përshtypje jo të mirë dhe afatgjatë.

Gary Neville zbuloi se si njoftimi i Rooneyt goditi ekipin. Ai pranoi se ndjeu që lojtarët dhe skuadra u lanë në lloç nga sulmuesi.

“Një dëshpërim të madh kisha kur Rooney njoftoi se donte të largohej, pikërisht në momentin kur po shkonim në dhomën e zhveshjes”, ka Neville.

Luis Suarez – Liverpool

E mbani mend kur Liverpooli nuk ishte dominues në futboll? Në vitin 2013 ishte Luis Suarez që po mbante lart skuadrën që po luftonte për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Atë verë Suarez u mjaftua me dështimet e skuadrës.

Sot duket e paimagjinueshme, por Arsenali po e joshte atë për karrierë në elitën evropiane. Arsenali bëri një ofertë famëkeqe prej 40 milionë + 1 funte, me idenë se oferta e çuditshme do të mjaftonte për të plotësuar klauzolën e lirimit të Suarezit.

Edhe Bayerni kërkon 50 milionë euro për Lewandowskin Sport Bayerni kërkon 50 milionë euro për Lewandowskin

Liverpooli mbeti i habitur nga qasja. Pronari John Henry shkroi: “Çka po pini në Emirates?”.

Topçinjtë u këshilluan në mënyrë të gabuar dhe të turpshme se Suarez kishte një klauzolë të tillë në kontratë.

Suarez, megjithatë, ishte i përgatitur të shkonte në veri të Londrës, nëse Liverpooli do të pranonte ofertën. Ai ishte në konflikt me trajnerin Brendan Rodgers pasi pretendonte se trajneri kishte shkelur premtimin për ta lënë të largohet në fund të edicionit 2012/13.

Uruguaiani pretendonte se Rodgers i kishte premtuar se do të mund të largohej atë verë. Liverpooli mori masa të ashpra ndaj Suarezit, duke e dërguar në ekipin rezervë “derisa të fillonte të tregonte respekt”. Edhe shoqata e lojtarëve i doli kundër. Iu tha se çdo veprim ligjor ndaj klubit do të dështonte pasi Rodgers nuk i kishte dhënë ndonjë premtim me shkrim.

Në fund ishte kapiteni Steven Gerrard që e bindi Suarezin të qëndronte edhe një vit. I tha se do të ishte më mirë të priste dhe të bashkohej me një klub të madh se të kalonte te Arsenali.

“Unë isha i gatshëm të shkoja në Arsenal dhe Steven erdhi e më tha: ‘Premtoj se nëse qëndron këtë vit, pas një edicioni do të shkosh te Bayerni, Barcelona apo Real Madridi. Por qëndro këtë vit pasi nuk do të jesh më mirë te Arsenali. Ishte biseda e fundit që kisha me Gerrardin dhe i thashë agjentit se kisha marrë vendimin dhe se do të qëndroja. Fjalët e tij më bindën. Vinin nga një person që kujdesej për mua, që donte mirëqenien time, që më pa të vuaja gjatë stërvitjes dhe më pa të trishtuar. Ishin fjalë të një kapiteni të vërtetë, që patën ndikim në atë moment dhe që më ndihmuan shumë”.

Suarez kishte rol vendimtar në kampanjën e Liverpoolit që ishte në garë të fortë për titull të kampionit. Liverpooli përfundoi në vendin e dytë.

Skuadra siguroi Ligën e Kampionëve, që e kërkonte me ngulm Suarezi. Por ai bëri ashtu siç i tha Gerrardi. Shkoi te Barcelona për 75 milionë funte.

Carlos Tevez – Manchester City

Refuzimi për të luajtur për trajnerin tuaj nuk është asnjëherë ide e mirë. Është prishje përfundimtare e urave.

Në vitin 2011, trajneri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, la në stol yllin Carlos Tevez në humbjen 2:0 nga Bayerni. Lojtari hezitoi të aktivizohej kur iu kërkua të hynte në fushë.

Mancini tha se nuk kishte rrugë kthimi për Tevezin. E ardhmja e tij tashmë ishte e pasigurt, me argjentinasin që sugjeronte se dëshironte largimin.

“Jo, nëse duam të përmirësohemi si ekip, Carlos nuk mund të luajë me ne. Me mua jo, ka përfunduar”, kishte thënë Mancini pas asaj ndeshjeje.

“Mund të mos jetë vendim i imi. Por nëse vendos unë, atëherë ai shkon. Nëse një lojtar fiton shumë para duke luajtur për Manchester Cityn në Ligën e Kampionëve dhe sillet kështu, ai nuk mund të luajë përsëri. Kurrë. Ai ka dashur të largohet në dy vjetët e fundit. Për dy vjet e kam ndihmuar dhe tani ai refuzon të luajë. Kurrë më. Kjo nuk mund të ndodhë në një klub të nivelit të lartë, që një lojtar të refuzojë të ndihmojë bashkëlojtarët në ndeshe të rëndësishme”, ka vazhduar Mancini. Ai ka shtjelluar gjerë e gjatë se pse një lojtar që refuzon të aktivizohet nuk mund të jetë pjesë e skuadrës.

Pas përbuzjes së gjatë, Tevez pretendoi se nuk kishte bërë asnjë gabim dhe se thjesht nuk ishte në gjendje për të luajtur.

“Nuk ndihesha mirë që të luaja. Kështu që nuk luajta”, kishte thënë Tevez. Kur iu tha se mund të jetë i përjashtuar nga City, Tevez vazhdoi: “ Unë kam qenë golashënuesi më i mirë edicionin e kaluar. Gjithmonë sillem si profesionist, kështu që varet nga trajneri”.

Doli të ishte një edicion i keq i Tevezit. Ai shënoi vetëm katër herë në 15 paraqitje, mes grindjeve me Mancinin. Por ai qëndroi në klub edhe një edicion tjetër. Shënoi 17 gola në përgjithësi, ndërsa City doli nënkampion. Më pas Tevez u largua për te Juventusi.

Dimitar Berbatov – Tottenham

Sensacion bullgar, Berbatov luante me njëfarë shkëlqimi dhe me mospërfillje që e bëri atë unik. Këto karakteristika i kishte edhe jashtë fushës. Shumë vlerësuan se Berbatov ishte dembel dhe kur ai hyri në grevë te Tottenhami në vitin 2008, nuk bëri asgjë për ta larguar atë imazh.

Sulmues po kërkohej nga Manchester Unitedi pas dy edicioneve mahnitëse. Ai shënoi 23 gola në dy edicione rresht te Tottenhami.

Tottenhami kishte përfunduar në mesin e tabelës nën drejtimin e Juande Ramos, ndërsa Unitedi ishte superfuqi e futbollit anglez. Berbatov goditi derisa Spurs po bëhej gati për të filluar në edicionin 2008/09. Këtë e bëri duke refuzuar që të luaj.

Presidenti i klubit, Daniel Levy, tha se sjellja e bullgarit ishte zhgënjyese dhe mosrespektuese.

“Me Berbatovin kishim lojtarin që refuzoi të luante dy ndeshje për ne. Dhe kjo kishte efekt shkatërrues në dhomën e zhveshjes. Realiteti është se në futbollin modern lojtarët e kanë gjithë fuqinë”, kishte thënë Levy.

“Ishim shumë të zhgënjyer. Dimitar Berbatov ishte lojtari që ne e sollëm kur Untedi ishte i interesuar për të. Ai mori vendim me vetëdije. Ne investuam shumë para. Pak njerëz kishin dëgjuar për Berbatovin kur ne e blemë atë. Unë mendoj se Berbatovi nuk e trajtoi klubin me respektin që e meriton. Ne e vendosëm atë në hartë, ai është lojtar i jashtëzakonshëm, por ai nënshkroi kontratë për shumë vjet dhe është dashur të qëndronte. Kam pasur shumë biseda me të. Ai vazhdonte të thoshte se synon të luajë për Unitedin. Nuk ishte çështje parash. Ne i ofruam kontratë të re, por ai nuk ishte i interesuar të diskutonte fare”.

Levy luajti fuqishëm, tipike për të, para se në ditën e fundit të afatit kalimtar të lejonte largimin e Berbatovit. Mori 31 milionë funte për yllin.

Edhe Zyrtare, Lewandowski largohet nga Barcelona Futboll Zyrtare, Lewandowski largohet nga Barcelona

Berbatov vazhdoi të lulëzonte te Unitedi. Shënoi 56 gola në 149 ndeshje dhe i fitoi pesë trofe.

Shifra dukshëm më të frikshme i ka Lewandowski. Dhe ai po shkon fuqishëm drejt një largimi nga skuadra ku ka prekur kulmin.