Sport

“Shtegu i akullt” në Botëror i pakalueshëm për dy skitarët e Kosovës

Prishtinë, 18 shkurt – Skitares së Kosovës, Fiona Rusta-Blaka, i zgjati pak sekonda lëshimi në shtegun e qendrës së skijimit, Cortina d’Ampezzo të Italisë, ku po zhvillohet kampionati botëror i skijimit alpin.

Ajo të enjten nuk arriti ta përfundojë me sukses lëshimin e parë në disiplinën e sllallomit të madh. Doli nga shtegu dhe humbi mundësinë të përfshihej në renditjen finale të garuesve elitare të botës.

Gara e Blaka-Rustës ishte për medalje, të cilën e fitoi skitarja zvicerane, Lara Gut-Behrami. Rusta në fakt nuk ka qenë në konkurrencë për medalje, kurse u kualifikua direkt për në garën finale në mungesë të numrit të mjaftueshëm të garueseve.

Nga shtegu doli edhe Arbi Pupovci në të njëjtën disiplinë. Pupovci nuk arriti të kalojë në finalen e garës së sllallomit të madh që mbahet të premten. Madje, nuk siguroi as paraqitjen në garën e dytë kualifikuese.

Për të dy garuesit që nuk arritën në finish arsyetimi ishte i njëjtë. U tha se shtegu ishte i vështirë, “i akullt”.

“Shtegut të akullt” i mbijetoi vetëm Albin Tahiri. Tahiri është kualifikuar për në finalen e disiplinës sllallom i madh. Tahiri në lëshimin e parë përfundoi në vendin e 53-të, me 6.94 sekonda prapa skitarit të parë, kanadezit James Crawford. Ndërsa në lëshimin e dytë Tahiri përfundoi i 45-ti me 4.45 sekonda dallim ndaj kanadezit Crawford. Tahiri megjithatë ka kaluar në finalen e kësaj gare që mbahet të premten. Prej garës kualifikuese në finale kanë kaluar 78 garues.

Për garën finale, selektori Agim Pupovci thotë se do të ishte i kënaqur nëse Tahiri do të ishte në mesin e 50 më të mirëve.

“Albini ka arritur rezultat të mirë dhe është kualifikuar për të marrë pjesë në garën finale të sllallomit të madh. Fiona është diskualifikuar në fillim të garës, kurse Arbi pak para cakut. Fiona më nuk do të ketë gara, ndërsa Albini starton nesër (e premte v.j.). Është në finalen e sllallomit të madh, kurse Arbi pasnesër garon në sllallom. Ka qenë disiplinë e Albinit dhe kam pritur këtë rezultat. Janë rezultate të pritshme faktikisht. Arbin e nxori jashtë shpejtësia diku në portën e 41-të, ndërsa Fionën në fillim. Dhe si Arbi nuk ka mundur të kthehet pas. Pres nga Albini të arrijë në mesin e 50 më të mirëve, do të isha i kënaqur. Arbi dhe Fiona u munduan, kanë përgatitjen e duhur, por janë gjëra që ndodhin”, ka thënë Agim Pupovci të enjten për KOHËN.

Pupovci thotë se garuesve të Kosovës u mungojnë përvoja dhe stërvitjet në shtigje të shpejta ku ka akull.

“Na duhen edhe këso lloj ushtrimesh në shtigje të shpejta ku ka akull, sepse garuesit nuk i kemi të përgatitur për këto terrene. Por, ne presim përkrahje më të madhe për t’i përgatitur garuesit tanë edhe në shtigje të tilla siç ishte sot. Sporti i skitarisë është bërë sport i shtrenjtë dhe sigurisht që duhet edhe mjete financiare për t’u përgatitur”, është shprehur selektori. Janë në fakt arsyetime të zakonshme këto.

Skitari Pupovci pranon gabimet e bëra. Por, shton se janë “gjëra që ndodhin”.

“Bëra një gabim, një vonesë që më qiti prej shtegut. E vazhdova, por sërish u rrëzova dhe dola. Kur nuk e do nuk e do. Gabimet ndodhin. Je më shpejt se që duhet ose është edhe puna e numrit, pasi prishet pista. Po më shumë kur merr shpejtësi. Varet, këto gabime u ndodhin të gjithëve. U rrëzova nga shpejtësia. Kam qenë super, por janë gjëra që ndodhin. Sot 35 garues nuk e kanë përfunduar garën edhe pse të gjithë kanë qenë shumë të mirë”, ka thënë Arbi Pupovci, që të shtunën do të marrë pjesë në kualifikimet për finalen e disiplinës së sllallomit.

Në këtë disiplinë, ditë më parë, Pupovci e fitoi normën për Lojërat Olimpike Dimërore “Beijing 2022”. Normën e ka siguruar pas arritjes së pikëve të duhura në garat e organizuara nga Federata Ndërkombëtare e Skitarisë (FIS). Për ta siguruar normën në disiplinën e sllallomit, një garuesi i duhet që në pesë gara zyrtare të FIS-it të arrijë më pak se 160 pikë.

Shpresa për normë olimpike në disiplinën sllallom të madh ka edhe Albin Tahiri. Falë përfundimit të garës të enjten, Tahiri ka fituar pikë olimpike, ndërsa i kanë mbetur edhe dy gara për ta arritur normën. Për ta siguruar normën në disiplinën e sllallomit të madh, një garuesi i duhet që në pesë gara zyrtare të FIS-it të arrijë më pak se 160 pikë.

Tahiri që jeton në Slloveni, por që përfaqëson Kosovën, nuk e fsheh gëzimin që është kualifikuar për në finale.

“Ishte shteg shumë i vështirë, ishte me akull dhe skitarët kishin shumë probleme. Por, unë me përvojën dhe fuqinë time arrita ta përfundoj dhe të kualifikohem në finalen e së premtes. Në lëshimin e parë edhe unë kam pasur probleme në pjesën fundit dhe për këtë arsye nuk ishte aspak i kënaqur me lëshimin e parë. Në lëshimin e dytë i përmirësova gabimet dhe gjithçka shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Në fund, mund të them se jam i kënaqur me pozitën e 45-të dhe kam arritur të kualifikohem, gjë që ishte edhe synimi im. Por, mendoj se mundem shumë më mirë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri e përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018” në Kore të Jugut. Norma për LOD fitohet shumë më lehtë se për Lojërat Olimpike Verore.