Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shtatë fakte për yllin e Chelseat, Kante

A ka ndonjë gjë që ylli i Chelseat, N'Golo Kante, nuk mund ta bëjë?

Dy tituj rresht të Premier Leagues, futja në listë të ngushtë për "Topin e artë" dhe madje është një llogaritar plotësisht i kualifikuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pos që është një futbollist shumë i shkathët, mesfushori francez së fundi ka treguar edhe për karrierën e tij të ardhshme, të mundshme, shkruan The Sun.

"Unë e kam marrë kualifikimin për llogaritje, por tash preferoj të koncentrohem në futboll", thotë Kante.

Më poshtë janë shtatë fakte, plotësisht të vërteta për Kanten, përcjell Koha Ditore.

Para, para, para

Siç u cek, Kante është një llogaritar plotësisht i kualifikuar, pasi ka studiuar si tinejxher, pasi ishte i shqetësuar se mund të mos ia dilte në futbollin profesionist.

"Isha te Boulogne, në skuadrën e dytë - fillimisht në rangun e gjashtë e më pas në të pestin. Nuk isha profesionist, kështu që vazhdova të studioja pasi nuk isha i sigurt nëse do të siguroja jetesën si futbollist. Kur isha 18-vjeçar e mora licencën për llogaritar dhe më pas studiova edhe dy vite tjera. Kur u ngrita në skuadrën e parë, u bëra profesionist, kështu që ndalova. Unë e kam kualifikimin për llogaritar, por tash preferoj të koncentrohem në futboll", ka treguar Kante.

Vetura e vogël

Derisa bashkëlojtarët e tij te Chelsea në stërvitje paraqiten me super-vetura, Kante preferon diçka më modeste.

Si mesfushori defensiv ndoshta më i miri në planet, francezi ka pasur mundësi për të blerë ndonjë veturë luksoze.

Pos 110 mijë funtesh në javë që lehtësisht do t'ia mbulonte një veturë të madhe, yjeve të Leicester Cityt iu dha një veturë BMW i8s nga Vichai Srivaddhanaprabha, pasi fituan titullin e Premier Leagues në stinorin 2015/16.

Mirëpo, Kante është ende duke drejtuar veturën Mini Cooper, veturë e dorës së dytë, pasi ishte dhuratë nga një person që ia dha kur arriti në Angli me shumë pak para.

Për Mini Cooperin e tij mefushori thotë: "Unë kurrë nuk kam qenë person që pëlqen veturat dhe kur isha i ri nuk kisha ambicie të blija ndonjë veturë apo gjëra të tilla. Por, Mini, nga fillimi, ishte i mirë për të mësuar të drejtosh veturën nga ana e majtë. E mora atë kur isha në Leicester. Ende e kam. Është mjaft veturë e mirë".

Nëntë jetë

Besoni apo jo, mesfushori më i mirë në botë ishte duke luajtur në rangun e nëntë të futbollit francez vetëm shtatë vjet më parë.

Duke luajtur për skuadrën Surenses në periferi të Parisit, Kante kishte punuar pa ndalur për të arritur deri në Premier League.

Ai kaloi te Boulogne në kategorinë e tretë ku bashkëlojtari i tij atje Cedric Fabien e përshkroi yllin si një "bishë".

"Jashtë fushës ishte i qetë, por në fushë kthehej në monstër. Kurrë në jetën time nuk e kam parë duke vrapuar ashtu pa ndalur. Ai ishte aq i përgatitur saqë mund të përfundonte një ndeshje dhe më pas të shkonte në shtëpi, të vraponte maratonë dhe më pas të luante edhe ndonjë ndeshje futbolli me shoqëri!".

Skuteri

Në ditët e tij te Boulogne, mes viteve 2010 dhe 2013, Kante nuk kishte para për të blerë veturë.

Në të vërtetë, francezi përdorte një skuter të vogël, disi si një lodër e fëmijëve, për të shkuar në stërvitje.

Herë pas here Kante e linte këtë dhe vraponte deri në vendin ku mbaheshin stërvitjet, diçka që bënte edhe në ditët e tij te Leicesteri.

Ishte pranë Marseilles

Mesfushori N'Golo Kante gati sa nuk kishte kaluar tek Olympique Marseille në vitin 2015, para se t'i bashkohej Leicester Cityt.

Francezi tregon se kishte dashur të ndiqte hapat e legjendave të Marseilles si Franck Ribery e Samir Nasri.

"Klubet që më kërkuan më së tepërmi ishin Marseille dhe Leicesteri. Unë mendova se duhej të kaloja nëpër skenën e Francës e më pas të dilja në Evropë. E mbaj në mend gjeneratën e Marseilles me Mamadou Niangun, Franck Riberyn dhe Samir Nasrin, ishte një skuadër që e pëlqeja, veçanërisht në Ligën e Kampionëve", tregon Kante.

Kante iu bashkua Leicesterit dhe pjesa tjetër është histori.

Hapave të Lassana Diarras

Duke luajtur mesfushor defensiv te Chelsea, dikujt lehtësisht mund t'i përzihet me Claude Makelelen.

Makelele ishte aq i mirë saqë pozita ku luante u quajt "Roli i Makeleles", por Kante duke u rritur kishte pëlqyer mesfushorin tjetër qendror Lassana Diarra.

Dinamik, një mesfushor i palodhshëm që shkon edhe para, ndoshta Kante është më tepër në rolin që kishte Diarra sesa Makelele.

Diarra, ende 32-vjeçar, tash luan për Al-Jaziran pas karrierës që kishte bërë tek Arsenali, Chelsea, Porsmouthi, Real Madridi dhe Marseille, ndër të tjera.

Djalë i historisë

Teknikisht mund të thuhet se Kante është lojtari i parë dhe i vetëm që ka fituar dy tituj rresht të Premier Leagues me dy klube të ndryshme.

Ylli francez e fitoi ligën me Leicesterin në stinorin 2015/16 dhe me Chelsean në stinorin 2016/17.

Mirëpo, bashkëlojtari i tij te Leicesteri, portieri Mark Schwarzer, kishte fituar ligën me Chelsean në stinorin 2014/15 dhe me Leicesterin një stinor më vonë.

Derisa kjo do të bënte australianin njeriun e parë që e ka arritur këtë gjë, ai nuk luajti asnjë ndeshje në të dy stinorët. Ndërkohë, Kante ishte fundamental në të dy stinorët që skuadrat e tij dolën fituese.