Sport

Shqiptarët që kërkojnë suksesin në ringun e Beogradit

Të hënën janë zhvilluar meçet e para në Kampionatin Botëror të boksit amator që po mbahet në Beograd. Kosovës i është mohuar pjesëmarrja në këtë Botëror nga shteti i Serbisë. Ndërkohë Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (AIBA) është mjaftuar me deklarata, përmes së cilave ka dënuar vendimin e Serbisë për të mos lejuar hyrjen e boksierëve të Kosovës në territorin e Serbisë. Për ndonjë masë konkrete të AIBA-s ndaj Federatës së Boksit të Serbisë nuk është njoftuar deri më tani. Dhe Botërori ka nisur ashtu si është planifikuar, me gjithë diskriminim e skajshëm ndaj Kosovës.

Derisa Shpejtim e Bashkim Bajoku dhe Patriot Behrami kanë mbetur jashtë Botërorit, të tjerë boksierë shqiptarë do të ngjiten në ring në kryeqendrën e Serbisë. Natyrisht duke prezantuar shtete të tjera, jo Kosovën.

Shqipëria përfaqësohet me tre boksierë. Alban Beqiri garon në kategorinë deri 71 kilogramë, Indri Laçi në kategorinë deri 92 kilogramë, ndërsa Nelson Hysa në kategorinë mbi 92 kilogramë. Hysa e ka mbajtur flamurin e shqiptarëve në ceremoninë hapëse, të mbajtur të dielën në Beograd.

Jasin Lama e Arsim Etemi janë boksierët e vetëm që e përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut. Lama garon në kategorinë deri 60 kilogramë, ndërsa Etemi në kategorinë deri 80 kilogramë. Lama, si kapiten, e mbajti flamurin e Maqedonisë së Veriut në ceremoninë hapëse.

Don Emini e përfaqëson Norvegjinë në Botëror. Ai garon në kategorinë deri 71 kilogramë.

Gjithsej në Beograd garojnë 510 boksierë nga 88 delegacione.

Boksierëve të Shqipërisë menjëherë u është bërë e qartë se nuk janë të mirëpritur në Beograd. Gjatë parakalimit të delegacioneve në ceremoninë hapëse, kapiteni i Shqipërisë, Hysa, doli i pari në skenë. Dhe fishkëllimat e shikuesve ishin të shumta.

Drejtuesit e delegacionit të Shqipërisë fillimisht kishin theksuar se nuk do të merrnin pjesë nëse nuk lejohet pjesëmarrja e Kosovës.

“Na është thënë se në rast të mospjesëmarrjes do të sanksionohemi me dhjetë vjet mospjesëmarrje në çdo aktivitet të AIBA-s, ka thënë Nelson Hysa. “Këtu jemi pa dëshirën tonë. Kemi presion të vazhdueshëm. Kur dola me flamur të Shqipërisë kishte brohoritje, fishkëllima, gjuajtje. Mbrëmë në hotel ka qëndruar Policia e Serbisë për shkak të sigurisë sonë”, ka shtuar boksieri i Shqipërisë.

Ndërkohë Jasin Lama nuk ka pasur ndonjë telashe gjatë parakalimit me flamurin e Maqedonisë së Veriut.

“Dy boksierët që përfaqësojmë Maqedoninë e Veriut jemi shqiptarë. Jam përgatitur shumë për këtë Kampionat Botëror. Është Botërori i parë që marr pjesë. Kemi qenë edhe në përgatitje dhjetë ditë në Beograd me shtete të ndryshme. Synimet e mia janë që të bëj një paraqitje të mirë edhe pse dihet që konkurrenca është shumë e madhe. Është kampionati me më së shumti boksierë që është mbajtur ndonjëherë. Shpresoj që ndeshjen e parë do ta kaloj me sukses dhe pastaj vazhdojmë tutje”, ka thënë Lama për KOHËN, të hënën.

Ai ka treguar se i duhen katër fitore për të arritur te zona e medaljeve. Meçin e parë e ka të mërkurën.

“Jam optimist për një Botëror të suksesshëm. Unë e kam bartur flamurin, marr pjesë si kapiten. Nuk kam pasur ndonjë telashe gjatë parakalimit”, ka shtuar Lama.

Image