Shqiponjat e Kosovës ndaj shqiponjave të Zvicrës. Një përballje e tillë do të jetë në rrethin e parë të Kupës së EHF-së për hendbolliste.
Kampionia e Kosovës, Shqiponja e Gjakovës, do të takohet me skuadrën zvicerane SPONO Eagles. Edhe skuadra zvicerane ka shqiponjën pjesë të emrit (Eagles), raporton Koha Ditore.
Të dy ndeshjet luhen në Gjakovë, këtë fundjavë. Takimi i parë luhet të shtunën (sot) nga ora 19:00, ndërsa i dyti të dielën (nesër) nga ora 14:00.
Shqiponja për herë të parë paraqitet në Kupën e EHF-së, ndërsa ka përvojë trevjeçare në Challenge Cup. Në Challenge ia ka dalë dy herë të kalojë nga një kundërshtar.
Por SPONO Eagles vlerësohet skuadër e nivelit dukshëm më të lartë se ato që i ka mposhtur Shqiponja dhe llogaritet favorite e madhe. SPONO ka katër lojtare të huaja në përbërje dhe përvojë evropiane që prej vitit 1993.
Shmangia e humbjeve të thella do të ishte sukses për Shqiponjën. Këtë kishte dështuar ta bënte Prishtina në përballje me SPONO Eagles, dy vjet më parë. Kishte pësuar me shifrat 41:14 në ndeshjen e parë dhe 30:16 në të dytën. Të dy ndeshjet ishin luajtur në Zvicër.